Nga Gazeta ‘Si’– Nga Danimarka kryeministri Edi Rama foli për negociatat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
I pranishëm në Samitin e Komunitetit Politik Europian, Rama tha se Shqipëria po vrapon drejt BE-së.
“Nuk po presim, po vrapojmë shumë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga të mëdhenjtë në dhomë, të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na marrin, sepse kjo do të jetë një Europë e madhe dhe e vlerësuar”, tha Rama.
Ai foli gjithashtu edhe për Diellën, ministren e Shtetit për Inteligjencës Artificiale, për të cilën tha se po funksionon shumë mirë.
“Kjo është diçka e re dhe si çdo gjë e re që është që të përballet me çdo kritikë, gjë që është gjë e mirë. Por kemi provuar se po funksionon dhe shumë mirë. Ka nisur si një asistente virtuale për shërbime publike për qytetarët dhe ka pasur interaktivitet për 1 milion njerëz, për 1 milion shërbime.
Së dyti, punon për transferimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin tonë”, tha Rama.
Samiti që po zhvillohet ka në fokus situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë, ku do të diskutohet se si mund të forcohet Ukraina dhe si mund të bëhet Europa më e fortë dhe më e sigurt në situatën gjeopolitike aktuale.
Në këtë Samit do të diskutohen aspekte të ndryshme të situatës së sigurisë në Evropë, që përfshijnë kërcënimet hibride, sigurinë ekonomike, migracionin etj.
Bashkimi Europian do të përfaqësohet nga Antonio Costa, presidenti i Këshillit Europian, i cili bashkë me kryeministren e Danimarkës, do të drejtojnë takimin ku marrin pjesë liderë nga Ballkani dhe Europa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



