Gazeta Si – Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, i dha një sinjal të qartë qindra gjeneralëve amerikanë që ai i thirri disa ditë më parë për një takim krejtësisht të jashtëzakonshëm në bazën e Marinës në Quantico, Virxhinia.
“Detyra jonë është të përgatitemi për luftë. Dhe ta fitojmë atë”. “Paqe përmes luftës”, shtoi sekretari duke folur për një “moment kyç”: “Epoka e Departamentit të Mbrojtjes ka marrë fund. Mirësevini në Departamentin e Luftës”, tha ai, duke përmendur ndryshimin e emrit të Pentagonit, i cili u konkretizua falë një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan në fillim të shtatorit.
“Udhëheqës politikë të papërgjegjshëm dhe budallenj kanë vendosur kompasin në drejtim të gabuar dhe kemi humbur rrugën. Kemi bërë ‘departamentin woke’. Duhet të fshijmë dekada rënie. Për shumë kohë kemi promovuar udhëheqës për arsyet e gabuara: bazuar në racën e tyre, kuotat gjinore, ashtuquajturët privilegje historike”, shtoi ai. “Tani duhet të pastrojmë rrënojat. Po i japim fund luftës kundër luftëtarëve”.
Hegseth njoftoi se do të miratohen menjëherë direktiva “gjini-neutrale”: trupat do të duhet të përmbushin standarde përgatitore mashkullore, pa marrë parasysh gjininë e tyre.
“Nuk bëhet fjalë për të penguar gratë të shërbejnë. Ne vlerësojmë shumë kontributin e grave ushtarake. Të gjitha janë absolutisht më të mirat në botë. Por kur bëhet fjalë për punë që kërkojnë fuqinë fizike për rezultate në luftë, standardet fizike duhet të jenë të larta dhe neutrale nga pikëpamja gjinore. Nëse gratë mund të shkëlqejnë, mirë. Nëse jo, le të jetë kështu. Nuk është qëllimi, por mund të jetë rezultati. Kjo do të thotë gjithashtu që burrat e dobët nuk do të mund të shërbejnë në luftë, sepse nuk po luajmë. Këtu bëhet fjalë për jetë ose vdekje”.
“Epoka e drejtimit ‘politikisht korrekt’, që kujdeset të mos lëndojë ndjenjat e askujt, përfundon tani, dhe në të gjitha nivelet. Kjo administratë ka bërë shumë që në ditën e parë për të hequr politikën korrekte dhe plehrat ideologjike toksike që kishin infektuar departamentin tonë. Jo më muajt e ‘identiteteve’, zyra DEI (Diversitet, Barazi dhe Përfshirje), jo më adhuruar i ndryshimeve klimatike, ndarje, shpërqendrime apo iluzione gjinore. E kemi mbyllur me këtë m*t”.
Ndërkoh, në takimin me të gjithë shefat e ushtrisë amerikane, presidenti Donald Trump paralajmëroi sot se do të shkarkonte çdo zyrtar nëse nuk do t’i pëlqente.
“Do të takohem me gjeneralë, admiralë dhe udhëheqës të tjerë, dhe nëse nuk më pëlqen dikush, do ta pushoj menjëherë”, – tha Trump.
Ndërkohë, më shumë se 20 minuta pas nisjes së fjalimit të tij presidenti amerikan mësohet se ka lëvizur mes disa temash, duke iu referuar vetëm herë pas here komenteve të përgatitura paraprakisht.
Ai ka prekur vendimin e tij për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës në “Gjiri i Amerikës” dhe reagimin që kjo solli nga agjencia “Associated Press”, përpjekjet e tij të pasuksesshme për t’i dhënë fund luftërave në Gaza dhe Ukrainë; kandidimin për Çmimin Nobel për Paqe; dashurinë e tij për fjalën “tarifë”; dhe vlerësimin që i bëri ish-presidentit Joe Biden, duke e quajtur “autopen”.
Në një moment, ai kujtoi një episod të ndodhur muajin e kaluar, kur kishte urdhëruar vendosjen strategjike të dy nëndetëseve bërthamore pranë Rusisë, si përgjigje ndaj komenteve që ai i cilësoi si agresive nga Dmitry Medvedev, ish-presidenti dhe aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë 25 vjet përpara çdo shteti tjetër përsa i përket pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. “Rusia na kërcënoi për pak kohë. Dërgova një nëndetëse bërthamore, arma më vdekjeprurëse e krijuar ndonjëherë, e pamundur për t’u zbuluar dhe kjo mjaftoi për të zhdukur kërcënimin. Nëse dikush lëshon një kërcënim bërthamor, ne jemi gati. Edhe pse shpresoj të mos kem kurrë nevojë ta përdor arsenalin bërthamor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



