Sport

Rikthimet më të mëdha në historinë e sportit

Nga Gazeta Si – Duke u kufizuar me territorin e mrekullisë, titulli i shtatë botëror i #93 në MotoGP është ndoshta më i jashtëzakonshmi i karrierës së tij dhe hyn në panteonin e mëdhenjve.

Plot 2184 ditë pasi ngriti për herë të fundit kurorën e MotoGP, Marc Márquez është sërish në majë të Botës.

Ky titull i 7 e fut atë në një klub ekskluziv të sportit, por rruga nga fitorja e fundit deri tek kjo arritje e bën historinë jo vetëm një nga rikthimet më të mëdha në MotoGP – por ndoshta rikthimin më të madh në gjithë sportin.

Ky është një debat i madh. Prandaj, le të shohim disa nga pretendentët e tjerë.

Niki Lauda: Legjenda e F1 që u ngrit nga flakët
Për shumë njerëz, pikënisja më e natyrshme kur flitet për rikthimet e mëdha është Niki Lauda.

Piloti austriak i Formula 1 u rikthye pas aksidentit të tmerrshëm në Çmimin e Madh të Gjermanisë në vitin 1976, duke fituar më pas edhe tituj të tjerë botërorë.

Pas titullit të parë të fituar në vitin 1975, Lauda – i mbiquajtur “Miushi” – ishte kampion në fuqi kur ndodhi aksidenti në Nürburgring, në mes të sezonit 1976.

Ai pësoi djegie të rënda dhe ishte pranë humbjes së jetës, por vetëm gjashtë javë më vonë u rikthye sërish në pistë.

Pasi u kthye në garë, ai e çoi duelin legjendar me James Hunt deri në fund – duke zgjedhur të tërhiqej në garën e fundit të sezonit në Fuji, për shkak të kushteve ekstreme me shi, duke thënë se rreziku ishte shumë i madh.

Lauda e vulosi rikthimin e tij në vitin 1977 me titullin e dytë botëror, ndërsa shënoi edhe një tjetër kthim të madh vite më vonë, kur u tundua të garonte sërish.

Ai e kurorëzoi karrierën me titullin e tretë dhe të fundit në vitin 1984 – të fituar me vetëm gjysmë pike diferencë.

Michael Jordan: Rikthimi triumfues i “Perëndisë” së basketbollit
Nga bota e basketbollit, emri i parë që vjen në mendje është padyshim Michael Jordan – lojtari që edhe Pedro Acosta e përmendi së fundmi përkrah Marc Márquez.

Përveç dëmtimeve të shumta, sfida më e madhe e Jordan-it ishte braktisja e sportit që e bëri të famshëm, për të provuar një tjetër: bejsbollin.

Ai njoftoi tërheqjen nga basketbolli para sezonit 1993-1994, por në vitin 1995 realizoi një nga rikthimet më të famshme në historinë e sportit, duke u kthyer te Chicago Bulls.

Rezultati? Tre tituj radhazi në vitet 1996, 1997 dhe 1998 – duke shtuar trofe të rinj në një prej CV-ve më të pabesueshme që ka parë ndonjëherë sporti botëror.

Në arritjet e tij hyjnë edhe sukseset olimpike, përveç një sërë rekordesh në NBA që e kanë bërë Jordan-in përjetësisht sinonim të madhështisë.

Monica Seles: Historia e guximit dhe triumfit në tenis
Edhe tenisi ka njohur rikthime të mëdha pas dëmtimeve.

Tre lojtarët më të suksesshëm të të gjitha kohëve për meshkuj – Roger Federer, Rafa Nadal dhe Novak Djokovic – janë përballur me lëndime serioze gjatë karrierës së tyre të lavdishme.

Por historia e Monica Seles mbetet ndër më të jashtëzakonshmet.

Ajo u bë fituesja më e re në “Roland Garros” në moshën 16-vjeçare.

Vetëm tre vite më vonë, në vitin 1993, kishte grumbulluar 8 tituj të mëdhenj “Grand Slam”.

Pikërisht në kulmin e suksesit, në Prill të atij viti, ndodhi ngjarja tronditëse: një tifoz i rivales Steffi Graf hyri në fushë dhe e goditi me thikë në shpinë.

E detyruar të qëndronte më shumë se dy vite larg sportit për shkak të traumës fizike dhe psikologjike, Seles u rikthye sërish në garë – dhe në vitin 1996 fitoi për herë të katërt “Australian Open”, “Grand Slam”-in e saj të 9.

Më vonë, ajo fitoi medaljen e Bronztë në Lojërat Olimpike “Sydney 2000” dhe ndihmoi ekipin e SHBA-së të fitonte tre herë “Federation Cup”.

Një histori unike guximi dhe triumfi që mbetet përjetësisht në kujtesën e sportit.

Ikonat amerikane, Tiger Woods dhe Peyton Manning
Pastaj vjen rradha e Tiger Woods. Fitorja e tij në “The Masters” mbetet një nga rikthimet më të mëdha sportive.

Pas vuajtjes së gjatë nga problemet kronike në shpinë, amerikani u bë golfisti më i moshuar që fiton “The Masters” që prej vitit 1986.

Ishte titulli i tij i 5 në Augusta dhe i 15-ti “Grand Slam” në karrierë.

Një tjetër ikonë amerikane, Peyton Manning, Legjenda e NFL si “quarterback”, u përball me një pengesë po aq të madhe.

Pas problemeve serioze me qafën, ai iu nënshtrua katër ndërhyrjeve kirurgjikale dhe në vitin 2011 përfundoi aventura e tij me Indianapolis Colts.

Manning firmosi me Denver Broncos, me të cilët zhvilloi katër sezonet e fundit të karrierës duke u tërhequr në madhështi: me titullin e 2 në Super Bowl në vitin 2015.

– Marc Márquez: Kampion i Botës pas 2184 ditësh
Në fund, por jo më pak i rëndësishëm. Eshtë rradha e Marc Márquez.

Nëse po lexoni këtë artikull, me shumë gjasë e dini tashmë se çfarë ka kaluar piloti me numrin #93.

Pas triumfit si debutues në MotoGP në vitin 2013, ai fitoi 6 tituj në 7 vite.

Ai solli në sport stilin e famshëm “me bërrylin në asfalt”.

Por gjithçka ndryshoi në Jerez, në vitin 2020, kur theu krahun.

Atëherë nisi rruga më e gjatë e rikthimit që ka parë ndonjëherë ky sport.

Në vend që suksesi i tij i pandërprerë të dukej si një formalitet, 2184 ditët që kaluan nga titulli i fundit botëror ishin gjithçka tjetër veç të lehta.

Tre ekipe, 2 konstruktorë, operacione të shumta, probleme me shikimin, dëmtime në shpatull dhe në dorë.

Muaj të tërë jashtë pistës. Një operacion i rrezikshëm për të shpëtuar karrierën.

Fitore pas qindra ditësh pritjeje. Dhe tani, një kampionat për rikthimin.

Márquez është sërish Kampion Bote, për herë të 7 në MotoGP.

Në këtë nivel ka vetëm 2 pilotë, dhe vetëm një ka më shumë tituj se ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë