Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një raund të ri tarifash doganore mbi importet e disa mallrave, nga produktet farmaceutike te kamionët.
Duke filluar nga 1 tetori, “do të vendosim tarifa 100% mbi çdo produkt farmaceutik të markës ose të patentuar, përveç rasteve kur një kompani po ndërton fabrikën e saj farmaceutike në Amerikë”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Truth, duke sqaruar se “ndërtim do të quhet një kantier në fazë nisjeje dhe/ose në ndërtim. Prandaj, nuk do të ketë tarifa mbi këto produkte farmaceutike nëse ndërtimi ka filluar”.
La Republicca shkruan se kjo është një mënyrë për të bindur kompanitë të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA, edhe sepse produktet farmaceutike kanë qenë një nga nyjet kryesore të negociatave mes Uashingtonit dhe Brukselit që synonin përjashtimin nga taksat.
Po nga 1 tetori, do të hyjnë në fuqi tarifa prej 25% mbi importet e kamionëve të rëndë dhe 50% mbi mobiliet e kuzhinës, banjës dhe produkte të lidhura. Vendimi, ka shkruar Trump në Truth, është marrë sepse Shtetet e Bashkuara janë “të përmbytura nga këto produkte që vijnë nga vende të tjera. Është e padrejtë dhe duhet të mbrojmë, për arsye të sigurisë kombëtare, procesin prodhues”.
Komisioneri për Tregtinë në BE, Maros Sefcovic, pikërisht dje u takua me homologun e tij amerikan, Jamieson Greer.
“Tani po punojmë me Shtetet e Bashkuara për të parë ku mund të gjejmë fusha të reja për përjashtime tarifore dhe të bashkëpunojmë më ngushtë për të gjetur struktura bashkëpunimi, në veçanti për çelikun dhe fushat e tjera të përfshira në marrëveshjen kuadër”, tha ai.
Negociatat janë ende në fillim dhe do të kërkojnë kohë, pavarësisht njoftimeve të papritura të Trump./La Repubblica
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



