Lexo me "Si"

Pse u krijua filigrani?

Nga Sokol Çunga– Po të marrim një kartëmonedhë bashkëkohore e ta vërejmë kundruall një burimi drite, do të shohim aty një vizatim që na shfaqet nga brenda letrës. Po ashtu, letra artizanale, si dhe një pjesë e letrës industriale e prodhuar gjatë shek. XIX, bart një shenjë të ngjashme, që të kodikologji – nëndisiplinë e paleografisë – e emërtojmë filigran ose shenjë ujore. Kujdes: nuk bëhet fjalë për shenjën zodiakale të ujorit!

Në letrën artizanale, veç vijave ujore – vergeures – dhe vijëzimeve – pontuseaux – shquajmë edhe forma objektesh apo kafshësh, si dhe simbole të ndryshme, të vendosura në fletën e letrës. Këto në latinishten e diplomatikës quhen insignia chartarum, në frëngjisht filigrane, në italisht filigrani, ose, në anglisht, watermark. Në shqip nuk ka ndonjë term të përgjithësuar, do të propozonim të mbanim huazimin nga frëngjishtja ose italishtja: filigran.

Siç dimë, mjeshtëria e letrës mbërriti prej arabëve në Spanjë në fund të shek. XI, e prej andej u përhap në gjithë Evropën. Prodhuesit evropianë të letrës, teksa përmirësuan procesin dhe cilësinë e produktit, panë të nevojshme dhe veçimin e njërit produkt nga tjetri. Kështu, në sipërfaqen e letrës u shfaq filigrani, një figurë e ndërtuar me fije të holla bronzi. Duke vendosur formën e filigranit në sipërfaqen e letrës ende të lagur, në letër mbetej shenja e dëshiruar

Letra më e hershme që paraqet këtë dukuri i përket prodhuesit shumë të njohur italian Fabriano dhe daton më 1282. Imazhet që paraqet filigrani janë, zakonisht, stema të familjeve, harqe dhe shigjeta, kafshë reale apo të trilluara, kokë kafshësh, kolona, doreza dhe duar, kapele, gërshërë, shkallë, germa, etj. Këto shenja, si rregull, shoqërohen edhe nga një kundërshenjë, e cila ndihmon shumë për të evidentuar filigranin.

I pari studiues që mblodhi dhe organizoi në një katalog të gjerë të insignia chartarum, pra, filigraneve, ishte Nikolai Petrovich Likhachev, i cili mblodhi dhe botoi në mënyrë kritike 4.258 skica.

Charles Moïse Briquet

Pas tij, ai që ktheu hulumtimin e filigranit në nëndisiplinë shkencore ishte Charles Moïse Briquet me botimin e katër vëllimeve voluminozë të Les Filigranes më 1907 të cilët përmbanin 16.112 skica.

Synimi kryesor i mbledhjes sistematike të filigraneve dhe studimi i tyre është, nga njëra anë, që të përdoren si ndihmë për të datuar me përafërsi dokumentet e pa datuara, dhe, nga ana tjetër, për të kuptuar qarkullimin e letrës në vendet ku janë prodhuar dhe përdorur dokumentet apo librat.

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë