Nga Gazeta ‘Si’- Të mërkurën në mbrëmje(24 shtator) në Danimarkë pati sërish kaos, pasi katër aeroporte pezulluan përkohësisht operacionet e tyre sepse dronë të paidentifikuar u panë në pjesë të ndryshme të vendit.
Aeroportet e prekura janë ai i Aalborgut, Esbjergut, Sønderborgut dhe Skrydstrupit, ku ndodhet baza Fighter Wing Skrydstrup, shtëpia e avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës.
Policia tha se kishte ngjashmëri midis incidenteve, duke vënë në dukje se pezullimi i aeroportit të Aalborgut ndikon edhe tek Forcat e Armatosura të vendit, pasi ai përdoret edhe si bazë ushtarake.
“Është shumë herët për të thënë se cili është objektivi i dronëve dhe kush qëndron pas tyre”, tha një zyrtar i policisë, ndërsa hetimet e autoriteteve janë duke vazhduar.

Herët në mëngjes policia reagoi duke sqaruar se dronët e paidentifikuar të vërejtur në Jutlandin e Veriut nuk janë më mbi hapësirën ajrore të Aeroportit të Aalborgut, pas 3 orësh nën alarm.
Policia e Jutlandit të Veriut nënvizon se po monitorohet nga afër situata në Aalborg, por nuk mund të thuhet se sa dronë janë përfshirë në këtë incident.
“Ende nuk mund të komentojmë për qëllimin e dronëve që fluturojnë në zonë, as nuk mund të themi asgjë se kush është autori i krimit. Nëse na jepet mundësia, do t’i rrëzojmë dronët”, tha një inspektor policie.
Sulmi me dron preku forcat e armatosura daneze dhe u përshkrua si “sulmi më serioz ndaj infrastrukturës daneze deri më sot” nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



