Nga Gazeta “SI”– Aktori, regjisori dhe producenti amerikan Robert Redford ka ndërruar jetë sot në moshën 89-vjeçare, në shtëpinë e tij në Utah. Lajmi u konfirmua nga familjarët dhe përfaqësuesit e tij.
Redford lindi më 18 gusht 1936 në Santa Monica, Kaliforni. I rritur në një familje të thjeshtë, ai u dallua për shpirtin rebel, por edhe për prirjet artistike. Pas disa përpjekjeve në artet pamore, vendosi t’i përkushtohej aktrimit, duke u shkolluar në New York. Shumë shpejt arriti të ngjitej në Broadway, përpara se të bëhej i njohur botërisht me filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), The Way We Were dhe The Sting (1973).
Pamja e tij karakteristike dhe talenti i veçantë e kthyen në një nga aktorët më të dashur të viteve ’70. Por Redford nuk u mjaftua me kaq. Në vitin 1980 debutoi si regjisor me filmin Ordinary People, që i dha menjëherë çmimin Oscar për Regjisorin më të Mirë. Në vijim, ai realizoi filma të rëndësishëm si A River Runs Through It dhe Quiz Show, duke fituar respektin e kritikës dhe të publikut.

Përveç artit, Redford ishte i njohur edhe si aktivist i mjedisit. Ai themeloi Sundance Institute dhe festivalin me të njëjtin emër, që sot konsiderohet një nga platformat më të mëdha të kinemasë së pavarur në botë.
Në jetën personale, ai u martua fillimisht me Lola Van Wagenen, me të cilën pati katër fëmijë, dhe më vonë me Sibylle Szaggars.
Roli i tij në filmin “Indecent Proposal” krah Demi Moore, do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut dhe fansave të Redford.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



