Gazeta Si – Shërbimi izraelit i inteligjencës, Mossad nuk pranoi të shënjestronte zyrtarët e Hamasit në Katar, të cilët IDF i sulmoi të martën e kaluar.
Rezervat e agjencisë izraelite të sigurisë në lidhje me shënjestrimin e anëtarëve të grupit islamist në Doha ka të ngjarë të kenë ndikuar në vendimin për të kryer sulme ajrore me avionë luftarakë, në vend të sulmeve tokësore.
Dy izraelitë të njohur me procesin e vendimmarrjes, i thanë “Washington Post” se Mossad kishte braktisur një plan të zhvilluar në javët e fundit për të vrarë zyrtarë të lartë të Hamasit në tokën e Katarit duke përdorur agjentë brenda vendit.
Sipas burimeve të gazetës amerikane, drejtori i agjencisë së inteligjencës, David Barnea, e kundërshtoi planin për shkak të shqetësimeve në lidhje me të ardhmen e marrëdhënies së Mossad me katarianët, duke vënë në dukje se Doha po ndërmjetësonte marrëveshje për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe organizatës terroriste.
Gazeta “Wall Street Journal” shton detaje të mëtejshme rreth sulmit: burimet raportuan se sulmi i forcave izraelite ndaj zyrtarëve të Hamasit në Doha, u krye duke përdorur avionë luftarakë që ata kishin dërguar mbi Detin e Kuq.
Avionët luftarakë të përdorur nga Forcat Ajrore përfshinin tetë F-15 dhe katër F-35, dhe asnjë avion izraelit nuk hyri në hapësirën ajrore të vendeve fqinje arabe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



