Gazeta Si – Vrasësi i dyshuar i Charlie Kirk, aktivistit të krahut të djathtë të vrarë të mërkurën ndërsa fliste në Universitetin Utah Valley në Utah, është arrestuar.
Sipas presidentit Donald Trump, i cili dha lajmin i pari në mediat sociale, ai është bindur të dorëzohej nga babai i tij kur kishtë parë foton e djalit të shpallur në kërkim.
Guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, tha se emri i tij është Tyler Robinson, 22 vjeç, dhe u arrestua mbrëmë rreth orës 22:00 në St. George, një qytet në Utah rreth 250 milje në jugperëndim të kampusit.
Cox tha se të enjten në mbrëmje, një i afërm i Robinson telefonoi një mik të familjes, duke thënë se 22-vjeçari kishte lënë të kuptohej se e kishte vrarë Kirk-un.

Mik i Robinson
Miku i tij më pas kontaktoi zyrën e sherifit lokal, e cila nga ana tjetër thirri FBI-në. Kur hetuesit e gjetën, Robinson kishte veshur rrobat me të cilat ishte kapur nga kamerat e sigurisë kur shkoi me makinë në kampus katër orë para vrasjes: një bluzë kafe, pantallona të shkurtra dhe këpucë me ngjyra të çelëta dhe një kapele bejsbolli.
Robinson më pas ndërroi një bluzë të errët me një shqiponjë dhe një flamur amerikan dhe një kapele bejsbolli të zezë me një trekëndësh dhe dyshohet se kreu vrasjen duke i veshur ato. Më pas ai ndërroi përsëri rrobat që kishte veshur atë mëngjes, të cilat i mbajti deri në arrestimin e tij.
Një i afërm i Robinson u tha hetuesve se ai ishte interesuar së fundmi për politikën dhe së fundmi kishte folur keq për Kirk gjatë një darke.
Shoku i dhomës së Robinson u tregoi hetuesve mesazhe që kishin shkëmbyer në platformën “Discord”, një shërbim chat-i i përdorur kryesisht nga entuziastët e video-lojërave, në të cilat 22-vjeçari tha se kishte marrë një pushkë, e kishte fshehur në një shkurre dhe kishte gdhendur fjalë në plumba.
Mbishkrime mbi plumbat e armës!
Cox tha se tre fishekë të paqëlluar përmbanin frazat “Hej fashist! Merr këtë!”, “Oh bella ciao, bella ciao” (në italisht) dhe “Gej që lexon LMAO”.
Ky detaj ka ngjallur spekulime për një motivim politik pas sulmit, duke e lidhur ngjarjen me një prej simbolikave më të forta antifashiste të shekullit të 20-të: këngën italiane “Bella Ciao”.
Edhe pse sot njihet si himni partizan për rezistencën kundër fashizmit, “Bella Ciao” nuk u këndua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga partizanët italianë. Rrënjët e saj gjenden në repertorin popullor të punëtoreve të orizit në rajonet e Emilias dhe Lombardisë.
Për disa, “Bella Ciao” është një trashëgimi universale, që bashkon breza dhe kultura të ndryshme. Për të tjerë, mbetet një këngë e lidhur ngushtë me ideologji të caktuara politike.
Ndërkohë, një fishek i katërt i përdorur kishte të shkruar frazën “Vëren fryrje, OwO, çfarë është kjo?”, një frazë e lidhur me një meme.
Pushka, një model i vjetër “Mauser” dhe plumbat u gjetën disa orë pas sulmit në një park pranë kampusit dhe u identifikuan menjëherë si ato që ka të ngjarë të jenë përdorur nga sulmuesi.
Trump dhe babai që e dorëzoi
Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë me Fox News se besonte që sulmuesi ishte në paraburgim disa orë para se autoritetet të konfirmonin arrestimin.
Siç shpjegoi Trump, i dyshuari iu dorëzua policisë “nga babai i tij, një njeri besimtar. Nëse shpallet fajtor, siç mendoj se do të shpallet fajtor, shpresoj se do të dënohet me vdekje”. Arrestimi u bë në St. George, një qytet me pak më pak se 100,000 banorë, rreth 400 kilometra në juglindje të Universitetit të Luginës së Utah-ut, kampusit ku ndodhi vrasja.
Tyler Robinson e identifikoi djalin e tij nga fotot e publikuara nga FBI-ja dhe thirri një pastor për ndihmë. Autoritetet e raportuan këtë në një konferencë për shtyp, duke shtuar se babai e çoi djalin e tij në një stacion policie për t’u dorëzuar.
Pa parti
I dyshuari i arrestuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, Tyler Robinson, është i regjistruar si votues jopartiak në Utah, raporton Wall Street Journal pas shqyrtimit të të dhënave publike. Prindërit e 22-vjeçarit janë të dy republikanë të regjistruar.
Vrasja e Kirk
Kirk, 31 vjeç, ishte një nga aleatët më të shquar politikë të Presidentit Donald Trump. Ai u vra rreth orës 12:20 të pasdites sipas orës lokale (8:20 të mbrëmjes të mërkurën në Shqipëri).
Pasi u godit nga një plumb në qafë, ai menjëherë humbi shumë gjak. Ndërsa turma kërkoi strehim dhe iku me vrap, ai u dërgua në spital, por vdiq pak më pas.
Dy persona që besohet se ishin të përfshirë në vrasjen e Kirk u arrestuan të mërkurën, por u liruan më vonë.
Të enjten, autoritetet e Utah-ut publikuan fillimisht imazhe të të dyshuarit dhe më pas një video që e tregonte atë duke kërcyer nga çatia ku dyshohet se qëlloi vrasësi i Kirk, pastaj duke vrapuar nëpër park, ku më vonë u gjet pushka. FBI dhe policia më pas kërkuan publikisht ndihmë në identifikimin e të dyshuarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



