Bota

Brazil, ish-presidenti Bolsonaro dënohet me 27 vite burg për tentativë grushti shteti

Gazeta Si – Dhoma e Parë e Gjykatës Supreme të Brazilit ka dënuar ish-Presidentin Jair Bolsonaro me 27 vjet e tre muaj burg për tentativë grushti shteti dhe krime të tjera të lidhura me të.

Pas gjyqtarëve Cármen Lúcia, Alexandre de Moraes dhe Flávio Dino, kryetari i trupit gjykues, Cristiano Zanin, e shpalli udhëheqësin e krahut të djathtë fajtor për të gjitha akuzat.

Bolsonaro, aktualisht nën “arrest shtëpiak” në Brazilia, bëhet kështu ish-presidenti i parë brazilian që dënohet për tentativë grushti shteti.

Ai mund të apelojë dënimin. Donald Trump nxitoi të komentonte, duke e quajtur atë një “dënim të habitshëm”, duke deklaruar se ajo që i ndodhi udhëheqësit brazilian është ajo që “ata u përpoqën t’i bënin” atij.

Të pandehurit akuzohen për “grusht shteti”, “shfuqizim të dhunshëm të sundimit demokratik të ligjit”, “organizatë kriminale”, “dëmtim të rënduar të aseteve të Federatës” dhe “përkeqësim të trashëgimisë historike dhe kulturore”.

Sipas tezës së Prokurorisë, e cila është pranuar kryesisht nga shumica e gjyqtarëve, grupi kriminal organizoi dhe kreu – midis viteve 2021 dhe 2023 – një sërë veprimesh për të penguar Luiz Inacio Lula da Silva të merrte detyrën si president i Brazilit, pavarësisht fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të vjeshtës 2022.

Përveç Bolsonaros, fajtorë janë shpallur: Gjenerali Walter Braga Netto, ish-Ministër i Mbrojtjes; Nënkoloneli Mauro Cid, ndihmës i presidentit dhe dëshmitari kryesor i akuzës; Alimr Garnier, ish-Komandant i Marinës; Alexandre Ramagem, ish-Drejtor i Inteligjencës; Gjeneralët dhe ish-ministrat Augusto Heleno dhe Paulo Sergio Noguera; dhe Anderson Torres, ish-Ministër i Drejtësisë.

“Graviteti dhe intensiteti i fajit, motivet, rrethanat dhe pasojat e krimit janë kryesisht të pafavorshme për të pandehurin Jair Messias Bolsonaro”, tha gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, raportuesi i çështjes, gjatë votimit për dënimin e ish-presidentit.

Sipas Moraes, ish-presidenti “shfrytëzoi aparatin shtetëror dhe mobilizoi zyrtarët dhe burimet publike me qëllim përhapjen e narrativave të rreme për të provokuar paqëndrueshmëri sociale dhe për të përjetësuar pushtetin e tij”.

Dënimi i Jair Bolsonaros është “shumë i habitshëm”, tha Donald Trump ndërsa foli me gazetarët para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Nju Jork.

“Kjo është ajo që ata u përpoqën të më bënin, por dështuan”, shtoi presidenti amerikan. “E pashë gjyqin dhe e njoh mirë: ai është një person i mirë dhe ishte një president i mirë për Brazilin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë