Bota

Dronët rusë mbi Poloni, Donald Tusk: Provokim nga Moska!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se rrëzimi i dronëve rusë brenda territorit polak gjatë natës, ka shënuar herën e parë që një ngjarje e tillë ndodh në hapësirën ajrore të një vendi anëtar të NATO-s.

Duke folur para një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, Tusk tha se hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga një numër “i madh” dronësh rusë.

Sipas tij, dronët që paraqisnin rrezik janë rrëzuar nga pilotë polakë dhe të NATO-s.

“Është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi territorin e një vendi të NATO-s. Të gjithë aleatët tanë po e marrin situatën shumë seriozisht. Deri tani nuk kemi raportuar viktima,” theksoi Tusk.

Ai shtoi se ka shumë gjasa që kjo të ketë qenë një “provokim në shkallë të gjerë” nga Rusia.

Sipas kryeministrit polak, kërkimi për dronë të tjerë është ende në vazhdim, por theksoi se nuk ka vend për panik dhe se situata është nën kontroll.

Tusk bëri të ditur se është në kontakt të drejtpërdrejtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Ndërkohë, forcat e armatosura polake kanë përfunduar operacionin ushtarak të ndërmarrë pas shkeljeve ajrore nga dronët rusë.

Aeroportet, përfshirë aeroportin kryesor ndërkombëtar të Varshavës, Warsaw Chopin, janë rihapur për fluturime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë