Njerez

Nënë Tereza, Shenjtorja Shqiptare që ndriçoi Botën

Nga Gazeta “SI”- Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në të gjithë botën si Nënë Tereza, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta, Indi. Ajo ishte një nga humanistet më të njohura dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqe.

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Bojaxhiut (Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Familja kishte pesë fëmijë, dy prej të cilëve vdiqën në fëmijëri. Vëllai i saj, Lazër Bojaxhiu, studioi në Austri dhe më pas emigroi në Itali, ndërsa motra Age Bojaxhiu u vendos në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpi artistë e patriotë shqiptarë.

Gonxhja mori mësimet e para në një shkollë shqipe në Shkup dhe kreu gjimnazin në gjuhën serbo-kroate. Qysh në rini, pasionet e saj ishin mësimdhënia, poezia dhe muzika. Në moshën 18 vjeç, mori emrin Tereza dhe u bë murgeshë.

Më 26 shtator 1928, ajo u largua nga Shkupi drejt Dublinit, Irlandë, dhe më pas vendosi të jetonte në Kalkuta tw Indisw. Në atë kohë shkroi një letër të ndjerë për tezen e saj, duke i shprehur lamtumirën dhe dashurinë.

Në Kalkutë, fillimisht punoi si mësuese dhe shumë shpejt u bë drejtore e shkollës së vajzave. Më 1951, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, duke u dedikuar të varfërve dhe të pafatëve të Kalkutës, Indisë dhe më gjerë. Përkushtimi i saj i jashtëzakonshëm ndaj humanizmit e bëri të njohur në gjithë botën.

Në ceremoninw e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe më 1979, ajo deklaroi: “Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza u kujdes për mbi 7,500 fëmijë në 60 shkolla, trajtoi rreth 960,000 të sëmurë, shërbeu për 3,400 pleq të braktisur, dhe birësoi fëmijë ilegjitimë dhe të pastrehë .

Shtëpia e saj në Kalkutë, e njohur si “Mother Teresa”, u vizitua nga figura të njohura botërore si Mbretëresha e Britanisë, presidentët amerikanë George Bush dhe Jimmy Carter, Yasser Arafati dhe Princesha Diana.

U shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003 dhe 13 vitë më vonë u shpall Shenjtore në Vatikan nga Papa Françesku më 5 shtator 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë