Gazeta Si – Një gjykatës në Kaliforni ka bllokuar vendosjen e Gardës Kombëtare në Los Angeles pas urdhrit të presidentit Donald Trump, i cili i vendosi trupat këtë verë, pavarësisht kundërshtimit nga guvernatori i Kalifornisë, në përgjigje të protestave kundër bastisjeve të emigracionit.
Gjykatësi i Qarkut Amerikan, Charles Breyer vendosi të martën se qeveria kishte shkelur Aktin Posse Comitatus, i cili kufizon fuqinë e qeverisë federale për të përdorur forcën ushtarake për çështje të brendshme.
Gjykatësi Breyer e ka pezulluar vendimin deri më 12 shtator dhe Trump ka të ngjarë të apelojë.
Breyer tha se trupat ushtarake u përdorën për të kontrolluar protestat dhe për të vendosur bllokada trafiku, gjë që nuk lejohet nga ligji i quajtur Posse Comitatus, i cili ndalon përdorimin e ushtrisë për çështje brenda vendit pa miratimin e Kongresit.
Trump i kishte dërguar këto trupa për të ndihmuar në kontrollin e protestave kundër politikave të tij të emigracionit, megjithëse guvernatori i Kalifornisë dhe disa qytetarë ishin kundër këtij veprimi.
Gjykatësi tha se nuk kishte asnjë kryengritje dhe se forcat civile të zbatimit të ligjit ishin në gjendje të menaxhonin situatën, ndaj nuk ishte i nevojshëm përdorimi i ushtrisë.
Ai urdhëroi administratën e Trump të ndalojë përdorimin e trupave ushtarake për arrestime, kontrolle apo patrullime, përveç rasteve shumë të kufizuara që lejon ligji.
Gjykatësi gjithashtu tha se nëse Trump dëshiron të përdorë Gardën Kombëtare në mënyrë të tillë në qytete të tjera, do të krijohej një forcë policore kombëtare që drejtohet nga presidenti, gjë që nuk është e ligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



