Nga Gazeta “Si”-Me mbi njëzet filma dhe dokumentarë që mbajnë autorësinë e tij, Anagnosti u radhit menjëherë si një ndër emrat më të mëdhenj mes regjisorëve shqiptarë.
Të shumta kanë qenë reagimet e figurave publike mbi humbjen e Dhimitër Anagnostit.
Aktori Robert Ndrenika ka reaguar në rrjetin social Facebook për humbjen e Anagnostit, duke e cilësuar si një nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar:
“Sot Shqipëria humbi një nga figurat më të ndritura të artit dhe kulturës kombëtare. Në moshën 89-vjeçare, pas një lëngimi të gjatë, u nda nga jeta regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, mjeshtri që i dha frymë kinemasë shqiptare dhe krijoi disa nga filmat më të dashur e më të paharrueshëm për publikun.”
Një tjetër aktor i njohur ka reaguar për vdekjen e Dhimitër Anagnostit. Mevlan Shanaj shkruan se vdiq maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar:
“Lamtumirë ‘diktatori i së bukurës’, maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar! Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost në ekran, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era.”
Ndërkaq, regjisori Bujar Alimani shkruan se Dhimitër Anagnosti ishte mjeshtri i kërkimit të identitetit shqiptar nëpërmjet lentës së kinemasë:
“Leksioni më i madh i të kërkuarit të identitetit nëpërmjet lentes së kamerës dhe përshfaqjes së shpirtit shqiptar në ekranin e madh të kinemasë. Vlera më e madhe që i dhe kombit! Lamtumirë MJESHTËR! Shqipëria nuk është më e varfër pa ty, Shqipëria është më e pasur që të kishte TY.”
Kryeministri Rama e ka cilësuar si babain e kinemasë shqiptare, që shënoi rrugën e re të kinematografisë sonë.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shënuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult Lulëkuqe mbi mure, që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master” – shkruan Edi Rama në rrjetin social Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



