Njerez

Ndahet nga jeta Dhimitër Anagnosti, një prej ikonave të kinematografisë shqiptare

Nga Gazeta “Si” – Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në historinë e kinemasë dhe kulturës shqiptare.

Me një karrierë që zgjati mbi katër dekada, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke u bërë një nga emrat më të respektuar dhe më të vlerësuar në fushën e artit filmik në Shqipëri. Ai ishte autor i 15 skenarëve, shumicën e të cilëve i kishte shkruar vetë për filmat që drejtonte.

Debutimi i tij në botën e filmit nisi herët, me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i një tregimi të Ernest Heminguejt, xhiruar si punë diplome në bashkëpunim me Viktor Gjikën. Ky film u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë, në vitin 1961.

Pas kthimit në Shqipëri, Anagnosti nisi punën si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” me filmin “Debatik” (1961), dhe më pas “Toka jonë” (1964). Po ashtu, ai realizoi edhe filmin e parë dokumentar me ngjyra në vend, “Gurët dekorativë”.

Në vitin 1966, realizoi filmin e parë artistik si regjisor “Komisari i dritës”, sërish në bashkëpunim me Gjikën. Një vit më vonë, ai debutoi si regjisor i vetëm me filmin “Dueli i heshtur”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Dhimitër Anagnosti u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Në vitin 2001, ai shkroi dhe vuri në skenë dramën e tij të vetme “Nata e trokitjeve në xham”, e shfaqur në Teatrin Kombëtar. Ndërsa në vitin 2005, rikthehet fuqishëm në kinema me filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, i cili fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti ishte gjithashtu një nga themeluesit dhe drejtuesit e Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur krijues, artistë dhe intelektualë në zhvillimin e kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Disa nga veprat më të njohura të tij përfshijnë:

  • Gjoleka, djali i Abazit (2006)
  • Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
  • Përrallë nga e kaluara (1987)
  • Gurët e shtëpisë sime (1985)
  • Kujtime nga Gjirokastra (1983)
  • Vëllezër dhe shokë (1982)
  • Në shtëpinë tonë (1979)
  • Monumenti (1977)
  • Lulëkuqet mbi mure (1976)
  • Kur hiqen maskat (1975)
  • Cuca e maleve (1974)
  • Përjetësi (1974)
  • Motive nga dita e diel (1973)
  • Malet me blerim mbuluar (1971)
  • Plagë të vjetra (1968)
  • Duel i heshtur (1967)
  • Komisari i dritës (1966)
  • Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

Vdekja e Dhimitër Anagnostit përbën një humbje të madhe për kulturën dhe artin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë