Bota

Rusia shënjestron gjatë natës Kievin, disa të vrarë. BE: Po tall përpjekjet për paqe!

Nga Gazeta ‘Si’- Kievi është përballur me bombardime të rënda ruse gjatë natës.

Moska shënjestroi me 629 dronë dhe raketa në Kiev, duke rikthyer sulmet që i kishte ndalur në kryeqytetin ukrainas pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

12 persona raportohet se janë vrarë, mes të cilëve tre fëmijë, ndërsa 48 të tjerë janë plagosur. Ndërtesa banimi u dëmtuan ndërsa sulmet prekën 20 zona të kryeqytetit.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet i treguan botës përgjigjen diplomatike të Rusisë mes përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.

“Rusia zgjedh balistikën mbi tryezën e negociatave”, tha Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë. 

Nga sulmet ruse në Kiev, ka pësuar dëmtime edhe zyra e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.

“Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion.”, ka shkruar Kos krahas fotove të ndërtesës së dëmtuar. 

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte i tmerruar nga sulmet vdekjeprurëse ruse në Kiev, të cilat goditën gjithashtu edhe zyrën e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Costa shkroi se BE nuk do të frikësohet, duke ritheksuar vendosshmërinë në mbështetje të Ukrainës. 

“Mendimet e mia janë me viktimat ukrainase dhe gjithashtu me stafin e delegacionit të BE-së në Ukrainë, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga ky sulm i qëllimshëm rus. BE-ja nuk do të frikësohet. Agresioni i Rusisë vetëm sa forcon vendosmërinë tonë për të qëndruar pranë Ukrainës dhe popullit të saj”, tha ai. 

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tha se Rusia po tall përpjekjet për paqe. 

“Ndërsa bota kërkon një rrugë drejt paqes, Rusia përgjigjet me raketa. Sulmi i natës në Kiev tregon një zgjedhje të qëllimshme për të përshkallëzuar dhe për të tallur përpjekjet për paqe. Rusia duhet të ndalojë vrasjet dhe të negociojë”, shkroi në rrjetet sociale Kallas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë