Mendim

Autorrëfimi apo trilli?

Nga Ervin Nezha- Nëse për një moment udhëtojmë me imagjinatë në kohën kur njeriu krijoi historitë e para, mund të qartësojmë edhe ndonjë shkak se përse ju deshën njeriut këto rrëfenja.

E para, dhe më e logjikshmja, është fakti se duhet të ketë qënë  një domosdoshmëri për njeriun primitiv, të zgjasë ndjenjat dhe emocionet; frikërat, ankthet, dështimet dhe sukseset. Dhe përmes këtyre krijimeve imagjinare njeriu kuptoi se kishte aftësinë ndryshe nga çdo specie tjetër të sajonte, të trillonte, të ekzagjeronte për histori të dëgjuara dhe të padëgjuara, për vende të afërta dhe të largëta. Dhe sërish kuptoi se, përmes rrëfimit të një ngjarjeje të sajuar, ose gjysmë të sajuar, ai në një farë mënyre mashtronte realitetin, veten së pari, pastaj edhe të tjerët. Pra, rrëfimi kishte aftësinë e magjepsjes, e kalimit të mendjes në dimensione të tjera, ku përditshmëria e lodhshme bëhej pengesë për  ose  nuk mund të mbërrinte. Shkaku i dytë që njeriu filloi të sajonte histori, mund të ketë qënë, si të thuash, një mënyrë për të imituar Zotin.

Pra, ashtu si Zoti krijoi botën perfekte, me lënd, ligje dhe frymë ashtu edhe njeriu kërkonte të krijonte botë të trilluara, të udhëhequra nga ligje dhe lëndë vetjake dhe në dallim nga bota reale, ku “e pamundura” është “përjashtim” dhe “e mundura” rregull, njeriu e sfidoi këtë model universal me parimin që “të pamundurën” ta bënte “rregull” dhe “të mundurën” përjashtim. Pra, me një fjalë, krijoi botë të ndërtuara me lëndë tjetër: jo me baltë, dru, gurë, por me imagjinatë, fjalë, gënjeshtra dhe fantazi. Dhe botën mësoi ta ndërtonte me ligje të pavarura.

Ervin Nezha

Ndaj është e lehtë të pohojmë se qëllimi parak i letërsisë qe trilli, gënjeshtra, ekzagjërimi. Sigurisht, me përsosjen shoqërore, ndërlidhjet kulturore, zbutjen e kalit apo shpikjen e rrotës – distancat gjeografike u zvogëluan, shoqëritë filluan të jepnin dhe merrnin me njëra-tjetrën. Dhe kjo bëri që këto histori të ndërlikoheshin, të përsoseshin, të zgjateshin dhe të pasuroheshin me elemente të reja. Për Shembull të ndryshonin dimensionin, vetën, mënyrën e rrëfimit, tematikën etj. Por pa e humbur trillimin,  duke e maskuar me lënd naive racionalitetin. Kjo për faktin se trilli në letërsi kërkon një besueshmëri sistematike, dhe racionaliteti ka tendecën ta luftojë të thjeshtën, ta zbulojë atë dhe në rastin më të mirë kërkon ta ndërlikojë atë. Për shembull në në një episod të romanin “Lufta dhe Paqja” një muzhik rrëmben kalin e njërit prej gjeneralëve të Napoleonit. Dhe aty Tolstoi e përgjithëson kaq thjeshtë dhe bukur gjendjen shpirtërore të muzhikut të ri, me frazën në dukje banale- “Ai mbante për kapistalli gjënë që kishte ëndërruar më shumë se ç’do gjë tjetër”.

Po ta shohim me kujdes, jo pa qëllim fjala “kalë” zëvendësohet me fjalën “gjënë”. Ky abstragim ka një vlerë humane, kali merr formën e dëshirës së dëshirave, ai për muzhikun është lufta, shtëpia, nderi,  e shkuara, e tashmja, dashuria, madje vetë jeta.

Lidhur me pikën e dytë të diskutimit,  atë për autorrëfimin, që unë e kuptoj si një lloj zhanri hibrid mes autobiografisë dhe romanit, mendoj se është një deviancë normale e letërsisë. Sepse herë pas here, ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe letërsia transformohet deri në masën që ajo mbetet letërsi. Vitet e fundit është legjitimuar ky lloj rrëfimi, edhe përmes Çmimit Nobel, megjithëse nuk është një formë krejt e re letërsie, sepse ditare, letërkëmbime apo autobiografi të famshme në historinë e letërsisë ka sa të duash. Por, si duket, ajo që sjell të re ky zhanër është një lloj tolerance pak më e madhe për trillin.

Megjithatë, si çdo gjë tjetër, mendoj se edhe kjo tendencë për të bërë një letërsi jo fiksion (po shprehemi kështu ) e gjykoj si diçka kalimtare. Dhe, nëse sot ajo ka fituar një lloj terreni, kjo vjen ndoshta edhe për faktin se letërsia e vërtetë – ajo sipas kanoneve parake, e ngjizur me trill, imagjinatë, aventurë, personazhe imagjinare, ekzagjërim – nuk është në ditët e saj më të mira.

Ervin Nezha është shkrimtar shqiptar, autor i tre librave në prozë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë