Bota

Financial Times: Trump premton mbrojtje ajrore për Ukrainën e pasluftës

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje kritike në sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, përfshirë mjete të avancuara të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe kontrollit të fushëbetejës, si edhe të marrin pjesë në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Europa, me një zonë ndalim-fluturimi.

Financial Times raporton se plani i kryeqyteteve perëndimore do të përfshinte një zonë të çmilitarizuar, ndoshta të patrulluar nga paqeruajtës neutralë nga një vend i tretë, për të cilin kanë rënë dakord Kievi dhe Moska.

Përtej saj, një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupa ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO. Më në brendësi të vendit, si një linjë e tretë mbrojtjeje, një forcë parandaluese e udhëhequr nga Europa.

Sipas raportit të Financial Times që citon burime amerikane dhe ukrainase thuhet se SHBA mund të marrë pjesë në një plan të përbashkët me vendet europiane për të garantuar mbrojtjen e Ukrainës ndaj agresioneve të ardhshme.

Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “mundësues strategjikë “, duke përfshirë inteligjencën, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo vendosje të udhëhequr nga evropianët në terren. Ndihma amerikane do të ishte vendimtare për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe funksionimin e forcave perëndimore në terren.

Donald Trump u tha udhëheqësve europianë javën e kaluar se Amerika do të jetë pjesë e “koordinimit” të garancive të sigurisë për Ukrainën e pasluftës, diçka që Kievi e ka kërkuar për të penguar një sulm të ardhshëm nga Rusia pas një marrëveshjeje paqeje të mundshme.

Zyrtarët europianë kanë pranuar privatisht se çdo vendosje mund të ndodhë vetëm me mbështetjen e SHBA-së për të mundësuar, mbikëqyrur dhe mbrojtur trupat europiane.

Uashingtoni tashmë i siguron Ukrainës raketa mbrojtëse ajrore Patriot, por mbështetja pas luftës do të përfshinte avionë amerikanë, logjistikë dhe radarë tokësorë për të mbështetur dhe mundësuar një zonë ndalim-fluturimi të imponuar nga Europa dhe një mburojë ajrore për Kievin.

Në çdo marrëveshje paqeje, inteligjenca, mbikëqyrja dhe aftësitë superiore të komandës dhe kontrollit të SHBA-së do të lejonin monitorimin satelitor të një armëpushimi dhe koordinimin efektiv të forcave perëndimore në vend.

Oferta amerikane, e cila doli në një seri takimesh midis zyrtarëve të sigurisë kombëtare dhe udhëheqësve ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e mëdha evropiane në ditët e fundit, është e kushtëzuar nga angazhimi i kryeqyteteve evropiane për të vendosur dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, thanë burimet e FT, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mbeten kundër vendosjes së trupave të veta në Ukrainë, shtuan burimet.

Anëtarë të tjerë të administratës Trump, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, janë skeptikë ndaj çdo pjesëmarrjeje në garancitë e pasluftës, nga frika se kjo mund ta fusë SHBA-në në një konflikt të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë