Bota

Në fillim takimi Putin-Zelensky brenda gushtit, pastaj ai trepalësh. Trump: Përgatitjet kanë nisur

Nga Gazeta ‘Si’– Vladimir Putin thotë “po” për një takim dypalësh me Volodymyr Zelensky-n.

Takimi ballë për ballë mes dy rivalëve do të zhvillohet brenda muajit gusht, në një vend ende të pacaktuar, dhe do të pasohet nga një takim trepalësh me Donald Trump.

“Përgatitjet po zhvillohen”, tha presidenti amerikan duke iu referuar samitit mes dy liderëve. Një takim historik gjatë të cilit, pranoi Zelensky, do të trajtohet çështja e territoreve, temë që nuk u diskutua gjatë takimeve të ditës së djeshme në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se Trump ka folur prej javësh për shkëmbim territoresh.

Vëmendja e liderëve ishte përqendruar te garancitë e sigurisë, një pikë mbi të cilën do të vazhdojnë diskutimet. 

“Diskutuam për garancitë e sigurisë për Ukrainën, garanci që do të ofrohen nga disa vende europiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara”, shpjegoi Trump pa hyrë në detaje.

“Po vlerësojmë garanci në stilin e nenit 5 të NATO-s”, theksoi sekretari i përgjithshëm Mark Rutte në një intervistë për Fox, duke saktësuar se nuk është folur për vendosjen e mundshme të trupave amerikane. “Do të punojmë në ditët në vijim, kemi nevojë të diskutojmë më shumë detaje”, shtoi ai.

“Perëndimorët do të formalizojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën brenda 10 ditëve”, njoftoi Zelensky, duke lënë të kuptohet se negociatat do të vazhdojnë me intensitet.

Duke folur për “përparime”, presidenti francez Emmanuel Macron megjithatë u shpreh i kujdesshëm: “Dyshoj se Putini dëshiron paqen”, tha ai, duke kërkuar “rritje të sanksioneve” ndaj Rusisë nëse negociatat dështojnë. 

Lideri i Kremlinit “nuk është i besueshëm”, vuri në dukje presidenti finlandez Alexander Stubb, duke theksuar se telefonata e Trump me liderin e Kremlinit në mes të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishte një ide e mirë. Megjithatë, shtoi ai, mbetet të shihet nëse do të ketë guximin për një takim të tillë.

“Në Uashington pati bisedime të rëndësishme… u hodh një hap i rëndësishëm, një demonstrim i vërtetë i unitetit mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi në Telegram presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë.

Kreu i shtetit ukrainas përsëriti se “garancitë e sigurisë” janë “një çështje themelore, si pikënisje për t’i dhënë fund luftës”.

“Liderët erdhën personalisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar gjithçka që do të na afrojë drejt një paqeje reale, drejt një arkitekture sigurie të besueshme që do të mbrojë Ukrainën dhe gjithë Evropën. Vazhdon puna jonë, vazhdojmë të koordinojmë veprimet tona me të gjithë aleatët që duan t’i japin fund luftës në mënyrë dinjitoze. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë”, shtoi Zelensky. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë