Gazeta Si – Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë liderët evropianë dhe të NATO-s, menjëherë pas përfundimit të takimit të tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.
Trump shpjegoi objektivat e bisedimeve të tij me udhëheqësit evropianë, duke thënë se ata do të diskutonin “kush do të bëjë çfarë”, si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe “shkëmbimeve të mundshme të territorit” për t’i dhënë fund luftës.
“Presidenti Putin ra dakord që Rusia do të pranonte garanci sigurie për Ukrainën. Dhe kjo është një nga pikat kyçe që duhet ta shqyrtojmë në tryezën e bisedimeve. Jam optimist se së bashku mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengonte çdo agresion të ardhshëm kundër Ukrainës, dhe në fakt mendoj se nuk do të ketë”, deklaroi Trump.

Kancelari gjerman Friedrich Merz në tryezën e përbashkët me liderët europianë, kreun e NATO-s dhe presidentët Donald Trump dhe Volodymyr Zelenski ka kërkuar një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur për konfliktin në Ukrainë.
“Për të qenë i sinqertë, të gjithë do të donim të shihnim një armëpushim, më të fundit nga takimi i ardhshëm e tutje”, i tha ai Trumpit. Merz shtoi se “nuk mund ta imagjinojë” që takimi trepalësh të zhvillohet “pa armëpushim”.
Ai i kërkon Trump të ushtrojë presion mbi Rusinë që të bjerë dakord për diçka të tillë. “Do të shohim se si do të funksionojë kjo dhe nëse mund ta bëjmë këtë”, iu përgjigj Trump, por presidenti amerikan theksoi sërish se gjashtë luftërat që ai pretendon se i ka zgjidhur përfunduan pa armëpushime.
Më pas, në diskutim u përfshi presidenti francez Emmanuel Macron. Ai tha se diskutimet për garancitë e sigurisë kanë të bëjnë me “të gjithë sigurinë e kontinentit evropian”.
Ai i bëri jehonë komenteve të Merz se një armëpushim është “i domosdoshëm” dhe thotë se të gjithë udhëheqësit “e mbështesin këtë ide”.
“Garancitë e sigurisë do të përfshinin një ushtri të fortë ukrainase për vitet dhe dekadat që do të vijnë, dhe një angazhim nga të gjithë ata që janë rreth tryezës për të ndërtuar sigurinë”, theksoi Macron.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në takimin në Shtëpinë e Bardhë u tha udhëheqësve të tjerë se ai mendon se ata mund të bëjnë “përparim të vërtetë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, veçanërisht në “garancitë e sigurisë”.
Ai tha se një takim trepalësh është një “hap i arsyeshëm i radhës”. Me atë takim të mundshëm dhe garancitë e sigurisë, do të ishte një hap “historik” përpara, thotë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se oferta e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për garanci sigurie për Ukrainën përbën një “përparim” në sigurimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën.
“Fakti që keni thënë: ‘Jam i gatshëm të marr pjesë në garancitë e sigurisë’ është një hap i madh, është vërtet një përparim dhe bën gjithë ndryshimin. Prandaj, faleminderit edhe për këtë”, i tha Rutte – Trumpit.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, gjatë fjalës së saj nga takimi i udhëheqësve evropianë me Zelenskyn dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë tha se fëmijët duhet që të jenë përparësi në këtë luftë.”‘Dua ta falënderoj Trumpin që foli edhe për fëmijët, të cilët janë një përparësi”, tha ajo.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni gjatë takimit të saj me Donald Trump, Volodymyr Zelenski dhe udhëheqës të tjerë në Shtëpinë e Bardhë tha se duhet që të arrihet një marrveshje paqeje.
“Nëse duam të garantojmë paqen, duhet ta bëjmë së bashku, të bashkuar. Mund të mbështeteni te Italia dhe ne jemi në anën e Ukrainës dhe do të mbështesim të gjitha përpjekjet e saj drejt paqes. Kjo është një ditë e rëndësishme”, tha ajo.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e nisi fjalën e tij me një batutë drejtuar Donald Trump për “rininë”, pasi lideri amerikan e kishte përshkruar Stubb-in si të ri dhe të fuqishëm, gjë që ai me humor tha se do t’ia tregonte gruas së tij.
Stubb vijoi duke thënë: “Mendoj se në dy javët e fundit, ndoshta kemi bërë më shumë përparim drejt përfundimit të kësaj lufte sesa në tre vitet e gjysmë të fundit.”
Ai shpjegoi edhe arsyen pse po merr pjesë në takim si përfaqësues i Finlandës, pasi vendi i tij ndan një kufi prej 800 miljesh me Rusinë.
“Ne, sigurisht, kemi përvojën tonë historike me Rusinë… dhe nëse shohim anën pozitive të asaj ku ndodhemi tani, ne gjetëm një zgjidhje në vitin 1944 dhe jam i sigurt se do të arrijmë një zgjidhje në vitin 2025 për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Situata është shumë e vështirë, por për këtë arsye jemi këtu”, – shtoi Stubb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



