Bota

Trump pret Zelenskin në Shtëpinë e Bardhë: Dua paqe, jo armëpushim. Lideri ukrainas: Gati për një takim tripalësh

Gazeta Si – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi këtë të hënë më 18 gusht, një takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski, në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy liderët u shprehën optimistë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje që mund t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Ndryshe nga takimi i shkurtit, Trump e priti Zelenskin në një atmosferë miqësore, duke e përshëndetur me buzëqeshje dhe duke i vendosur dorën mbi supe.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, presidenti amerikan konfirmoi se do të zhvillojë një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin menjëherë pas takimeve të ditës së sotme, duke shtuar se mund të organizohet një takim trepalësh SHBA-Ukrainë-Rusi.

Gjatë takimit, Trump tha se nuk e përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. “Do t’ju njoftojmë për këtë, ndoshta më vonë sot”, tha Trump.

Hapja e tij për të lejuar trupat amerikane në terren në Ukrainë mund të sjellë një ndryshim të madh, pasi Ukraina i konsideron garancitë e sigurisë si kritike për çdo marrëveshje përfundimtare paqeje me Rusinë.

Trump tha se Evropa do të marrë drejtimin në sigurimin e paqes, por se SHBA-ja do të jetë e përfshirë.

“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë atje, në Evropë. Por ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha ai.

Trump tha se nëse do të kishte një marrëveshje paqeje, ajo do të zbatohej. “Mendoj se nëse mund të arrijmë paqen, do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha ai.

Trump shtoi se pavarësisht se si do të përfundojnë takimet e sotme me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe udhëheqësit evropianë, mbështetja amerikane për Ukrainën do të mbetet. 

Një marrëveshje paqeje mund të arrihet ndërsa Ukraina dhe Rusia janë në luftë, sipas presidenti amerikan.

“Nuk mendoj se keni nevojë për një armëpushim. E dini, nëse shikoni gjashtë marrëveshjet që kam arritur këtë vit, të gjitha ishin në luftë, unë nuk bëra asnjë armëpushim. E di që mund të jetë mirë të ketë, por gjithashtu mund ta kuptoj, strategjikisht, pse një vend ose tjetri nuk do ta dëshironte atë”, deklaroi Trump gjatë takimit me Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale.

Më tej ai tha se i pëlqen koncepti i një armëpushimi” sepse njerëzit do të ndalonin së vrari, por theksoi se “ne mund të punojmë për një marrëveshje paqeje ndërsa ata janë duke luftuar

Mes një breshërie zërash nga gazetarët e pranishëm, njëri prej tyre i drejton Volodymyr Zelenskit një pyetje provokuese: nëse është i gatshëm të “dërgojë trupat ukrainase drejt vdekjes” apo të “rishikojë hartat” e vendit.

“Ne jetojmë çdo ditë nën sulme”, përgjigjet Zelenski, duke përmendur vdekjen e një fëmije së fundmi. “Duhet ta ndalim këtë luftë për të ndalur Rusinë, dhe kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve amerikanë dhe evropianë. Do të bëjmë çfarë të mundemi për këtë. Po tregojmë se jemi një popull i fortë dhe mbështesim idenë e presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj lufte. Jemi gati për një takim trepalësh (me Putinin)”.

Pas takimit me Zelenskin, Trump priti në një tryezë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë, shefin e NATO-s, Rutte, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb.

Donald Trump do t’i paraqesë udhëheqësit ukrainas një plan që diskutoi me presidentin Putin në Alaska të premten, duke propozuar që Ukraina të heqë dorë nga kontrolli i territorit në lindje të vendit, duke përfshirë zonat që nuk janë të pushtuara nga Rusia dhe të marrë garanci për sigurinë e ardhshme të Ukrainës në këmbim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë