Nga Gazeta ‘Si’– Në vitin 2023, Shqipëria është përballur me një numër të lartë të rinjsh që ishin jashtë ciklit të punës dhe arsimit, të njohur si NEET (Not in Employment, Education or Training).
Në nivel kombëtar, 24.6% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë dhe as në shkollë. Kjo shifër bëhet edhe më e thellë në kryeqytet, ku përqindja arrin në 27%, duke e renditur Tiranën si zonën me nivelin më të lartë të NEET-ve në vend.
Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës dhe analizat e Programit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri tregojnë se shumica e këtyre të rinjve janë në kërkim të një pune. Rreth 13% janë aktivisht në kërkim të punës, ndërsa 14% janë inaktivë, pra nuk ndjekin as shkollim dhe as nuk kërkojnë punë.
Për më tepër, gati 35% e NEET-ve në Tiranë kanë vetëm arsim bazë, çka sinjalizon për një hendek të thellë midis kualifikimeve që kërkohen dhe atyre që janë në dispozicion.

Rreth 34% e NEET-ve në vend janë të papunë për më shumë se një vit, një periudhë e mjaftueshme për të humbur aftësitë profesionale dhe kontaktin me rrjetet sociale e të punës.
Një pjesë tjetër e NEET-ve janë jashtë tregut të punës për arsye sociale. Rreth 13% janë tërhequr për shkak të kujdesit për fëmijët ose detyrimeve familjare, dhe 99% e tyre janë gra, shpesh me arsim të ulët ose të mesëm. Ndërkohë, një përqindje tjetër, sado e vogël, nuk beson se ka mundësi për punësim në zonën ku jeton, sidomos në zonat rurale me ekonomi të dobët.
Disa të rinj përballen gjithashtu me vështirësi shëndetësore apo aftësi të kufizuara, por shpesh nuk kanë akses në trajnimet ose mbështetjen e nevojshme për t’u rehabilituar e përfshirë në tregun e punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



