Dosje

Përgjimet / Eurot e kokainës u groposën në rrënjët e ullinjve, Franc Çopja këshillonte: Mos fut lek nën tokë, do prishen

Gazeta Si – Trafiku ndërkombëtar i drogës, i cili kryhej në portet me te rëndësishmë të Europës, kishte sjellë shumë të ardhura për organizatën e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja nga Dubai.

Këto para, të cilat kishin rënë në duar trafikantëve ose i pastronin në blerjen e objekteve apo sipërfaqjeve të tokave, antërat e grupit përpiqeshin t’i fshihnin në mënyra të ndryshme.

Një episod interesant është zbuluar nga përgjimet e “Sky-ECC” me Ervis Çelës dhe Franc Çopjes. Sipas përmbajtjes së komunikimit, Çela i thotë Çopjes se ka marrë në Tiranë një shumë parash të dyshuar prej 3.8 milionë euro, kësaj shume i ulet perqindja e transportit të parave cash, e cila është 2%.

Ndërsa Franci i shkruan se ditën e diel do të dorëzojë dhe një shumë tjetër të dyshuar prej 3 milionë euro.

Për gjithë këto të ardhura, Ervis Çela i shkruan se disponon 200 rrënjë ullinj dhe për secilin ulli do të bëjë një gropë për fshehjen e parave.

Pjesë nga biseda e Ervis Çelës me Franc Çopja:

Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.

Franc Çopja: Aahaha…kthej flori. Mos fut lek n’tokë. Më dëgjo mu…

Ervis Çela: S’ka flori…Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika…

Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky…Po mblidhi avash avash…Por mos fut lek n’tok… Se t’prishen..

Ervis Çela: E di që prishen lekët.

Në datë 13 dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.

Ervis Çela: Marove t’u bo gropa?

Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit.. filloj dhe shiu tani…

Ervis Çela: Do ja kalosh lalës?

Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj t’i mbyll…Ahahaha…

Ervis Çela: Ahahaha…i bone 10?

Ardjan Çela: Lala ka më shumë…Po

Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen…Ahahaha…

Ardjan Çela: Flasim më vonë…

Më datë 14.12.2020, në orën 17:03 Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Riza Çela, të cilit i shkruan se ka akumuluar një vlerë monetare prej më shumë se 100 milionë euro.

Në megaoperacionin e SPAK për goditjen e kësaj organizate kriminale, u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim.

GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në burg” për Ervis Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela.

I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferët e autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa, të cilët sillnin paratë në Shqipëri. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë