Bota

Gjermania njofton një pezullim të pjesshëm të shitjes së armëve për Izraelin

Gazeta Si – Qeveria gjermane njoftoi të premten se do të ndalojë autorizimin e eksportit në Izrael të armëve që mund të përdoren në Rripin e Gazës, duke përmendur ndër të tjera miratimin e qeverisë izraelite të një plani për të pushtuar ushtarakisht Gaza Sitin. Pezullimi përfshin edhe materiale dhe pajisje të tjera ushtarake.

Nuk është vendi i parë europian që shpall një masë të tillë (Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Sllovenia, ndër të tjera, e kanë bërë tashmë këtë në shkallë të ndryshme në dy vitet e fundit), por është një vendim i rëndësishëm, sepse Gjermania është eksportuesi i dytë më i madh i armëve në Izrael, pas Shteteve të Bashkuara.

Për më tepër, qeveritë gjermane kanë qenë gjithmonë shumë afër Izraelit, për arsye historike dhe shpesh kanë shmangur kritikimin e veprimeve të tij.

Kjo mbështetje pothuajse pa kushte, e gjatë prej dekadash, kishte filluar të zbehej në muajt e fundit.

Qeveria gjermane ka deklaruar mbështetjen e saj për fushatën e Izraelit kundër Hamasit dhe për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës, por se përparësi duhet të jenë negociatat për një armëpushim.

Sipas qeverisë, plani i Izraelit për të pushtuar Gaza Sitin e bën këtë objektiv më pak të arritshëm.

Deklarata që njoftonte vendimin, i bënte thirrje gjithashtu Izraelit të rriste sasinë e ndihmës së dhënë popullsisë së Rripit të Gazës dhe të përmbahej nga marrja e vendimeve që mund të çonin në aneksimin e Bregut Perëndimor, territorit tjetër, përveç Rripit, i cili qeveriset pjesërisht nga autoritetet palestineze.

Qeveria izraelite ka kohë që favorizon vendosjen e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë