Nga Gazeta “SI”– Shkrimtari izraelit David Grossman, e ka përshkruar fushatën e vendit të tij në Gaza si një gjenocid dhe ka thënë se tani “nuk mund të mos përdorë” këtë term.
“E pyes veten: si arritëm deri këtu?”, tha shkrimtari i njohur dhe aktivisti për paqe në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica.
“Si ndodhi që na akuzuan për gjenocid? Vetëm fakti që mund të përdoret fjala ‘gjenocid’ për Izraelin, për popullin hebre, duhet të na alarmojë dhe të na tregojë se diçka shumë e gabuar po ndodh me ne.”
Grossman tha se për shumë vite kishte refuzuar ta përdorte këtë term.
“Por tani nuk mund ta ndal veten, jo pas asaj që kam lexuar nëpër gazeta, jo pas pamjeve që kam parë, dhe as pas bisedave me njerëz që kanë qenë atje. Kjo fjalë është si një ortek. Sapo e thua, vetëm sa zmadhohet, si një ortek, dhe sjell më shumë shkatërrim dhe vuajtje,” tha ai.
Komentet e Grossman-it vijnë disa ditë pasi dy organizata të mëdha për të drejtat e njeriut në Izrael thanë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, në një kohë kur shqetësimi global për urinë në këtë territor të rrethuar është në rritje.
Autori, i cili prej kohësh kritikon qeverinë izraelite, tha për La Repubblica se po e përdorte këtë fjalë “me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer”.
“Të lexosh në një gazetë ose të dëgjosh në biseda me miq në Evropë lidhjen mes fjalëve ‘Izrael’ dhe ‘uri’ , veçanërisht kur kjo vjen nga historia jonë, nga ndjeshmëria që supozohet se kemi ndaj vuajtjes njerëzore, nga përgjegjësia morale që kemi pretenduar gjithmonë për çdo qenie njerëzore, jo vetëm për hebrenjtë , kjo është shkatërruese,” tha Grossman, i cili fitoi çmimin më të lartë letrar të Izraelit në vitin 2018, për veprën e tij që mbulon më shumë se tridhjetë vjet.

“Okupimi na ka korruptuar,” tha ai. “Jam i bindur se mallkimi i Izraelit filloi me pushtimin e territoreve palestineze në vitin 1967. Ndoshta njerëzit janë lodhur duke dëgjuar për këtë, por kjo është e vërteta. Jemi bërë ushtarakisht të fuqishëm dhe kemi rënë në tundimin e fuqisë absolute dhe idenë se mund të bëjmë çfarë të duam.”
I pyetur për njohjen e shtetit palestinez nga Franca dhe Britania e Madhe, Grossman tha: “Mendoj se është një ide e mirë dhe nuk kuptoj histerinë këtu në Izrael për këtë çështje. Ndoshta të merresh me një shtet të vërtetë, me detyrime reale, në vend të një entiteti të paqartë si Autoriteti Palestinez, do të ketë përparësitë e veta. Sigurisht, do të duheshin kushte shumë të qarta: pa armë dhe garanci për zgjedhje transparente, ku përjashtohen ata që mbështesin dhunën ndaj Izraelit.”
Ai tha se mbetet “i përkushtuar në mënyrë të fortë” ndaj zgjidhjes me dy shtete. “Do të jetë e ndërlikuar, dhe si ne, ashtu edhe palestinezët, do të duhet të tregojmë pjekuri politike përballë sulmeve të pashmangshme që do të vijnë. Nuk ka plan tjetër.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



