Taksa

Rikthehet (si shërbim shtetëror) sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet. Kush nuk paguan, penalizohet

Gazeta Si – Qeveria shqiptare ka rikthyer në konsultim publik një version të ri të Projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.

Në draftin e hedhur të mërkurën pasdite në konsultim publik nga Ministria e Financave, propozohet në thelb të tij krijimi i Fondit për Tërmetet si një shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të merret me gjithë procesin, si me arkëtimin e primit të detyrueshëm të sigurimit, ashtu edhe me pagesat e dëmshpërblimeve në rastet kur do të ndodhë ngjarja e marrjes në sigurim.

Pikat kryesore të këtij projektligji përfshijnë sigurimin e detyrueshëm për çdo pronar banese, përfshihen banesat sociale me qira dhe pronat në proces legalizimi, ndërsa përjashtohen ndërtesat me materiale të dobëta.

“Sigurimi i detyrueshëm: Çdo pronar banese (për përdorim banimi ose tjetër), i cili duhet të lidhë një policë vjetore që mbulon dëmet strukturore nga tërmetet. Subjekte të përfshira: Përfshihen edhe banesat sociale me qira dhe pronat në proces legalizimi. Përjashtohen ndërtesat me materiale të dobëta (qerpiç, druri, të përkohshme). Shërbimi i policës: Qëllimi është arkëtimi dhe pagesa e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet në mënyrë efektive dhe të shpejtë”, thuhet në versionin e ri të projektligjit.

Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.

Ndërsa Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

Ata qytetarë që refuzojne të bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të kenë disa penalitete. “Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë: Nuk marrin shërbime kadastrale; Nuk marrin shërbime nga e-albania; Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.

Në projektligj dhe relacion ende nuk ka një përllogaritje për ofrimin se sigurimit që do paguajnë qytetarët apo dhe bizneset që posedojnë një pronë.

“Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare”, thuhet në projektligj.

Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mbulon dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së përcaktuar në policë.

Ky fond krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Fondit, është ministria përgjegjëse për financat.

Administratori i fondit do të emërohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës pas një procedure përzgjedhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë