Politike

BE hap grup-kapitullin e 5 të negociatave, Rama: Shqipëria nuk ndalet!

Gazeta Si – Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian i kanë dhënë “dritën jeshile” vijimit të negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin e 5 që përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.

Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë. Një reagim lidhur me këtë çështje është bërë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili nënvizon se “Shqipëria nuk ndalet” sa i përket progresit të vazhdueshëm dinamik në rrugën e negociatave të anëtarësimit.

Rama konfirmoi se presidenca daneze e BE-së ka marrë autorizimin të ftojë Shqipërinë për të paraqitur pozicionin e saj negociues lidhur me kapitujt e fundit.

“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 ‘Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni’”, – shkruan Rama.

Pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet edhe konferenca e gjashtë ndërqeveritare për të shënuar hapin final zyrtar të hapjes së të gjithë kapitujve me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në vitin 2030.

Kryeministri Rama ka deklaruar shpesh herë se synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë