Nga Gazeta Si- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur ditën e sotme se mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, i ka kaluar Kleana Xhuvelit.
Në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u vendos që dorëheqjet e kandidatëve për deputetë në listat e mbyllura të koalicionit, nuk ishin miratuar nga KQZ në heshtje, ashtu siç sipas tij ishte pretenduar.
Me këtë vendim u zgjidh edhe një ngërç i madh i krijuar mes drejtuesve të koalicionit, ku Lapaj si më i votuari i listës së hapur të koalicionit pretendonte ta merrte vetë mandatin, ndërkohë që vendin e deputetit e pretendoi edhe daja i Endri Shabanit, i cili pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kandidimi në listën e mbyllur, e revokoi këtë. Pas tij e revokoi edhe Kleana Xhuveli, e afërmja e Lapajt.
“Përfundimi është se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi, pasi listat janë miratuar. Dhe kjo është kështu për çdo lloj shkaku. Kështu që duke qenë se Kleana Xhuveli është renditur para Zeqir Kordhonit në listën e mbyllur të koalicionit, i takon asaj të marrë mandatin e këtij koalicioni.
Përfundimisht shpall kandidat fitues zonjën Kleana Xhuveli”, tha Celibashi.
Gjithashtu, KQZ ka vendosur që mandatin e PSD në Tiranë ta marrë Tedi Mula.
Tedi Mula ishte më i votuari në listën e hapur të kësaj force politike në kryeqytet dhe zgjedhja e tij erdhi pasi PSD kërkoi ditën e sotme djegien e listës së mbyllur të Tiranës, kërkesë që u pranua nga KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




