Gazeta Si – Kandidati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të martën e 15 korrikut, përmes së cilës shpreh vullnetin e tij të qartë për të marrë mandatin e deputetit, nëse rezulton fitues pas shpërndarjes së mandateve në zgjedhjet e 11 majit.
Lidhur me këtë kërkesë ka pasur një reagim edhe nga kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Në një postim në rrjetet sociale shprehet se sipas tij është angazhuar e gjithë ‘këneta’ që të arrihet qëllimi që Lapaj të marrë mandatin e deputetit dhe të futet në parlament.
Lapaj thekson se Endri Shabani dhe daja i tij nuk do të marrin asnjë mandat dhe shprehet se vetëm ‘qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament’.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit, nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon! Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj.
Por kryetari i partisë “Nisma Thurje”, Endri Shabani, ka reaguar pas akuzave publike të Lapajt, i cili e akuzoi atë dhe familjarët e tij për përpjekje për t’i marrë mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të 11 majit.
Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Shabani shprehet se ndjen keqardhje për deklaratat e Lapajt, duke theksuar se ai nuk ka asnjë lidhje me vendimin e dajës së tij, Zeqir Kordhoni, për të mos hequr dorë nga mandati.
“Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut. Dua të sqaroj tre gjëra: E para, mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?”, shkruan Shabani.
Në zgjedhjet e 11 Majit, në listat e “Nismës Shqipëria Bëhet”, kryetarët e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani e futën veten në listë të hapur.
Koalicioni arriti të fitojë një mandat në qarkun e Tiranës, ku ndonëse Lapaj ka marrë më shumë vota personale, fituese rezulton e para në listën e mbyllur Ana Dajko.
Në mënyrë që Lapaj të marrë mandatin, do të duhet të japin dorëheqjen përveç Dajkos, edhe të 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




