Sport

Chebet & Kipyegon thyen rekorde botërore në Eugene

Kenianet Faith Kipyegon dhe Beatrice Chebet morën vëmendjen kryesore pas paraqitjes spektakolare dhe rekordeve botërore që thyen në mitingun e “Diamond League” në Eugene të Oregonit. Kipyegon dominoi garën e 1500m me kohën 3’48”68 duke përmirësuar rekordin që mbante po vetë me 0.36 sekonda. Sukses që erdhi pas më shumë se një jave nga dështimi i 3 herë kampiones Olimpike për të qënë atletja e parë femër që vrapon një milje në më pak se 4 minuta.

Patriotja e saj Chebet, vendosi rekord të ri botëror në garën e 5000m me kohën 13’58”06. Një përmirësim i të vjetrit me më shumë se 2” vendosur nga etiopinia, Gudaf Tsegay në Eugene, dy vite më parë. 25 vjeçarja Chebet tani zotëron rekordet botërore dhe olimpike në garat e 5000m dhe 10000m. Dy atletet ishin mes 17 kampionëve olimpikë dhe 14 rekordmbajatësve botërorë që morën pjesë në “Prefontaine Classic”.

Matt Hudson-Smith vendosi kohën 44”10 në fitoren e garës së 400m për meshkuj përpara amerikanëve, Christopher Bailey dhe Jacory Patterson. Medalisti olimpik, Kishane Thompson nga Xhamajka triumfoi në garën e 100m për meshkuj me kohë 9”85 përpara britanikut Zharnel Hughes (9.91). Etiopiania Tsige Duguma (medaliste e argjendtë pas Hodgkinson në Paris) fitoi garën e 800 metrave për femra me kohën 1’57”10. Ndërsa amerikania Melissa Jefferson-Wooden vendosi kohën 10”75 në fitoren e 100m për femra përpara kampiones olimpike, Julien Alfred.

Rekordmeni botëror, suedezi Armand Duplantis fitoi lehtësisht në kërcimin me shkop me lartësinë 6.00m. Sydney McLaughlin-Levrone përsëriti rezultatin më të mirë personal, 49.43 dhe la pas rivalet amerikane Aaliyah Butler dhe Isabella Whittaker në fitoren e 400m për femra. “Diamond League” do të spostohet në Monaco javën e ardhshme përpara zbarkimit në ishull për “London Athletics” më 19 Korrik. Finalet do të zhvillohen në Zyrih më 27 dhe 28 Gusht për ti lënë vendin Botërorit të Atlerikës në Tokyo, Japoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë