Nga Gazeta ‘Si’- CNN ka publikuar një sërë regjistrimesh audio, ku tregojnë se si presidenti amerikan Donald Trump ka trajtuar liderët e huaj, mes të cilëve edhe Putinin.
Në to, Trump dëgjohet të thotë në një takim privat me donatorë gjatë vitit 2024, përpara zgjedhjeve presidenciale, se kishte kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me bombardimin e Moskës nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën.
“I thashë Putinit: ‘Nëse hyn në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën totalisht. Po të them, nuk kam zgjedhje tjetër’”, dëgjohet të deklarojë Trump. “Dhe ai më tha: ‘Nuk të besoj’… Por më besoi 10%”, shtoi.
Trump, i cili në atë kohë kërkonte përkrahje për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, rrëfeu gjithashtu se kishte përdorur të njëjtën gjuhë kërcënuese edhe me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në rast se Pekini tentonte një sulm mbi Tajvanin.
“I thashë se do e bombardoja Pekinin”, thuhet të ketë deklaruar Trump, duke shtuar se Xi “mendonte se isha i çmendur”, por se “kurrë nuk patëm problem”.
Regjistrimet janë pjesë e librit të ri të gazetarëve Josh Dawsey, Tyler Pager dhe Isaac Arnsdorf, me titull “2024”, që sjell prapaskena nga fushata presidenciale amerikane.
Regjistrimet u realizuan gjatë eventeve për mbledhje fondesh në Nju Jork dhe Florida. Sipas CNN, materiali nuk ishte publikuar më parë, ndërsa ekipi i fushatës së Trump ka refuzuar të komentojë përmbajtjen.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur ai përpiqet të paraqitet si kandidati që garanton “parandalim të konflikteve globale”, veçanërisht në raport me Rusinë dhe Kinën.
Reagimi i Kremlinit
Nga ana e saj, Moska reagoi me qetësi ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot:
“E trajtojmë me qetësi,” dhe shtoi se Rusia synon të vazhdojë dialogun me Uashingtonin.
Peskov shtoi gjithashtu se nuk ka siguri për vërtetësinë e deklaratës së Trump që pretendon kërcënimin për bombardimin e Moskës.
“Ka shumë lajme të rreme”, tha ai, duke vënë në dyshim burimin dhe përmbajtjen e informacionit të publikuar nga CNN.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



