Politike

Rama me fermerët: Na duhet një shoqëri shtet-privat për të zhvilluar bujqësinë. Bashkitë s’janë marrë me fshatin

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim nga Cërriku, kryeministri Edi Rama tregoi idenë për ndërtimin e një shoqërie të përbashkët midis shtetit dhe fermerëve, për të zhvilluar zonat rurale dhe bujqësinë.

Kreu i qeverisë tha se buxheti i shtetit nuk mund të garantojë një zhvillim të fshatit dhe se subvencionet ndihmojnë vetëm për mbijetesë, e asgjë më shumë.

“Buxheti nuk është në asnjë mënyrë përgjigjja për sfidat që ne kemi dhe për zhvillimin që duam të bëjmë. Me subvencionet nuk shkojmë larg por thjesht mbijetojmë. Në rast se krijojmë një shoqëri ku bashkia bëhet pjesë dhe kur qeveria bëhet pjesë përmes garancisë sovrane, financimi është më i madh sesa 10 vjet financim nga subvencionet. Në rastin konkret, ju duhet të bëheni promotorë të kësaj se i keni kapacitetet për të bërë një projekt dhe të uleni me bashkinë. Ju jeni ata që mund t’i tërhiqni bashkitë në proces duke sjellë dijen tuaj, kështu që unë pres që shoqata juaj të vijë dhe të thotë se kemi bërë një projekt dhe ia kemi çuar bashkisë së Malësisë së Madhe, s’po marrim mbështetje, Shkodrës apo Laçit…dhe s’po marrim përgjigje. Këtu gjejmë ne mënyrën se si të ndërhyjmë dhe se si të mbështesim. Por ama gjëja duhet të fillojë nga projekti”, u shpreh Rama duke përmendur edhe linjën e kreditimitt 250 mln euro për bujqësinë.

Më tej, Rama kritikoi pushtetin vendor për fokusin e munguar në drejtim të zhvillimit fshatit duke thënë se bashkitë janë aktorët kryesorë që mund t’i japin një kthesë situatës nëpër fshatra dhe bujqësisë.

“Ky vend duhet të ketë sipërmarrje rurale të fuqishme. Duhet të kemi ambicien që tani t’i kushtojmë më tepër rëndësi agropërpunimit, rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje. Dhe kjo s’mund të jetë çështje fati apo thjesht dhe vetëm e dëshirës dhe ambicies së disa individëve por një strukturë e tërë pune e përbashkët. Qysh se është bërë reforma administrative kryetarët e bashkive e shohin fshatin si çështje të urbanizmit, infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shohin, si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Jemi në një pikë, ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Të jetë pika e parë mbështetje për ata që duan të zgjerojnë sipërmarrjet apo të reja. Jo pushteti vendor të jetë siç ndodh shpeshherë, problemi kryesor për të marrë një vërtetim apo leje”, shtoi kreu i qeverisë.

Kryeministri u shpreh se fuqizimi i fshatit nuk mund të lihet në dorë të fatit dhe as individit, por bashkëpunimi midis institucioneve dhe stimujve shtetërore, si linja e kreditimit 250 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë