Bota

Trump-Putin, bisedë telefonike për krizën dhe sulmet ukrainase. Lideri rus flet dhe me Papa Leonin

Gazeta Si – Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e cila ka zgjatur rreth një orë e 15 minuta.

Sipas një postimi të Trump në rrjetet sociale, diskutimi është përqendruar kryesisht në zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe shqetësimet ndërkombëtare rreth programit bërthamor iranian.

Trump e cilësoi bisedën si “të mirë”, por sqaroi se ajo nuk përfaqëson një hap të menjëhershëm drejt paqes.

Sipas tij, presidenti Putin ishte i prerë në qëndrimin e tij lidhur me sulmet ndaj bazave ushtarake dhe aeroporteve në territorin rus, duke i quajtur ato “të papranueshme” dhe duke paralajmëruar se Rusia do të reagojë me vendosmëri.

“Biseda ishte e hapur dhe e drejtpërdrejtë. Nuk ka zgjidhje të shpejtë për paqen, por mbajtja e komunikimit është thelbësore,” u shpreh Trump.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte ajo e programit bërthamor të Iranit. Trump theksoi se ka përsëritur qëndrimin amerikan ndaj këtij programi, duke thënë: “Iranit po i mbaron koha. Nuk mund të lejohet të prodhojë armë bërthamore.”

Ai shtoi se, sipas tij, Putini është i një mendjeje me të në këtë pikë dhe është shprehur i gatshëm të angazhohet në konsultime ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Ndërkohë, Kremlini ka konfirmuar se Presidenti Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me Papa Leon XIV, e cila është edhe biseda e parë mes tyre.

Sipas mediave të huaja, Kremlini konfirmoi këtë bisedë, pasi deklaroi më herët se Putin kishte zhvilluar një bisedë telefonike edhe me Presidentin amerikan Donald Trump.

Ndërsa nuk ka më shumë detaje rreth bisedës së tyre, kujtojmë se Papa i ri ka folur publikisht për luftën në Ukrainë.

Në një nga përshëndetjet e tij të para për pelegrinët italianë, ai tha se mendimet e tij shpesh shkojnë te “populli ukrainas, i prekur nga sulme të reja serioze kundër civilëve dhe infrastrukturës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë