Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha foli për aksionin opozitar të paralajmëruar në shtator, teksa u shpreh se është i gatshëm ta udhëheqë deri në fitore.
Berisha nuk përjashtoi opsionin e grevës së urisë, duke theksuar se sipas tij, rëndësi ka që shqiptarët të binden se 11 maji ishte një farsë, sipas pretendimeve të Berishës.
Ndërsa mandej shprehu bindjen se kjo betejë do të fitohet, pasi në të kundërt, nuk do e kishte nisur.
“Nuk përjashtohet asnjë variant, rëndësi për ne ka që shqiptarët me ndërgjegje të plotë të binden se kjo ishte një farsë. Me Edi Ramën s’ka zgjedhje.
Kushdo është i mirëpritur, një betejë që nuk besoj se do të fitohet nuk do e nisja. Jam i bindur kjo betejë do të fitohet”, deklaroi Berisha.
Në konferencë, Berisha pretendoi sërish se në zgjedhjet e 11 majit ka pasur ndërhyrje të madhe të grupeve kriminale, të cilat sipas tij, kanë diktuar votën e qytetarëve.
Gjithashtu ai tha se forumet janë aktive dhe po merren me analizën e gjithanshme “të farsës”.
“Të harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët dhe demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita. Ata të cilët rreken të prodhojnë këtë, ata injorojnë efektet e arrestimit në vitin elektoral, të tre liderëve kryesore të opozitës, injorojnë shtetin elektoral”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




