Gazeta Si – Me numërimin e votave drejt përfundimit në qarqet e mbetura të vendit, me rreth 60 kuti ende pa u numëruar, ka një ndryshim në mënyrën si ndahen mandatet në Tiranë dhe Vlorë.
Partia Demokratike ka rënë me 2 mandate, duke i shkuar një PS dhe një Partisë Mundësia të Agron Shehajt.
Më konkretisht, në Qarkun e Tiranës demokratët kanë rënë në 13 mandate për momentin. Mandati në lojë për kryeqytetin i është shtuar Mundësisë së Agron Shehajt.
Surpriza ka edhe në Vlorë, e cila ka mbyllur numërimin e 449 kutive. Ndërsa qarku po ndahej 8 me 4 për PS, socialistët kanë thelluar avantazhin pasditen e kësaj të marte, duke marrë edhe mandatin e 9, ndërsa PD mbetet me 3.
Kështu, PS fitoi 9 mandate, ose ndryshe 53.235 vota. Ndërsa PD siguroi vetëm 3 mandate, pasi arriti të grumbullonte 24.134 vota.
Përcaktues për këtë qark ishte vota e diasporës. Sipas të dhënave të deritanishme kjo bëri që PD të mos arrinte as numrin e kandidatëve në listën e fiksuar.
Ai që e pëson, është demokrati Atird Hoxha, i renditur i katërti në listën e mbyllur të PD. Deri para pak minutash dukej se ai do të futej në parlament, por socialistët thelluan avantazhin në qytetin bregdetar.
Numërimi ka përfunduar në 10 qarqe, Berat, Dibër, Lezhë, Kukës, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Shkodër, Durrës, Vlorë dhe vijon në Tiranë e Fier, ku ndodhen kutitë e fundit për t’u numëruar.
Nga rezultatet e deritanishme, PS prin me 83 mandate, teksa Partia Demokratike numëron 50 të tilla. Mandatet e tjera ndahen mes katër partive të tjera, ku forcë e tretë deri tani është Partia Socialdemokrate me 3 mandate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.