Politike

Rama për mediat italiane: E prisja fitoren, Meloni më uroi

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka thënë se e priste rezultatin e votimeve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, i cili projekton Partinë Socialiste si fituese.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Rama tha se shqiptarët i kanë besuar një mandat të katërt në krye të qeverisë.

“Ai fiton midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe midis bashkëkombësve të tij jashtë vendit, mban Qendër-Jug dhe pothuajse pushton Veriun, bastionin e opozitës”, lexohet në shkrimin e ‘Corriere della Sera'”.

Rama tha se e priste një rezultat të tillë duke pretenduar se PS ka punuar. Sipas tij, socialistët fituan, sepse shqiptarët u besojnë, dhe jo thjesht sepse opozita humbet.

”Sinqerisht po, sepse punuam shumë për të arritur atje duke folur me fakte, duke treguar qartë rrugën kryesore për Shqipërinë e fëmijëve tanë, duke synuar një ripërtëritje brez pas brezi të listave, ku promovuam edhe shumë gra dhe duke organizuar festën për një lojë të shkëlqyer ekipore në territor, – u shpreh Rama. – Sepse ne e ndryshuam Shqipërinë me një vizion të qartë dhe këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë shumë politikanë, dhe ata dinë të bëjnë dallimin midis atyre që punojnë seriozisht për të ardhmen e vendit dhe atyre që kufizohen në retorikën e disfatizmit. Edhe ne bëmë një gabim që kërkuam falje. Por, ne kurrë nuk u ndalëm, kurrë nuk u fshehëm, kurrë nuk u dorëzuam përballë vështirësive dhe rritëm një komb të tërë duke e bërë atë krenar për emrin e tij”.

Ndërsa zbuloi se kishte patur edhe një kontakt me kryeministren italiane Giorgia Melon,i e cila e uroi për fitoren. “Po, ajo më shkroi një mesazh si motra vëllait”.

Rama e mbylli, duke theksuar se qeveria e tij do të përfundojë “kantierin e madh evropian të ndërtimit të Shqipërisë. Qëllimi ynë është të përfundojmë negociatat e pranimit deri në vitin 2027”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë