Nga Gazeta Si- Ka përfunduar numërimi i kutive të votimit në disa bashki të vendit, Konispol, Himarë, Finiq, Tepelenë, Pukë, Cërrik, Fushë Krujë, Këlcyrë, Rrogozhinë, Has, Fushë Arrëz dhe Vorë.
Në Konispol janë numëruar të 16 kutitë e votimit ku fituese ka dalë Partia Socialiste me 2171 vota. PD ka marrë 973 vota ndërkohë që nga partitë e reja më shumë vota ka marrë “Shqipëria Bëhet”, 373 vota.
Në Himarë fiton Partia Socialiste me 51.26% të votave, 3196. Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 2370 vota, ose 38.01 % të votave dhe “Shqipëria Bëhet” 358 vota ose 5.74% të votave.
Është mbyllur votimi edhe në Bashkinë e Finiqit. Gjithsej kanë qenë 4125 persona që votuan të dielën e 11 Majit.
Shumicën e votave i ka marrë Partia Socialiste, duke ngjyrosur me rozë në këtë mënyrë edhe një tjetër bashki.
Edhe në Tepelenë ka fituar Partia Socialiste me 3.214 vota.
Sipas të dhënave, Partia Demokratike (PD-ASHM), ka marrë. 1,003 vota; Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”- 149 vota; Partia Mundësia- 84 vota; Partia Socialdemokrate (PSD)- 130 vota
Edhe Puka ka mbyllur tashmë numërimin e kutive të votimit, teksa PD-ja ka arritur fitoren.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, demokratët kanë fituar me një total prej 2034 votash, duke lënë pas PS-në me 1572. Një numër të konsiderueshme votash ka marrë edhe PSD, me 930 në total.
Tashmë edhe Fushë-Arrëzi ka mbyllur procesin e numërimit të votave. Partia Demokratike ka arritur të marrë 1315 vota, teksa pas ka lënë PS-në me 1137 vota. Vendin e tretë të renditjes e ka marrë Partia Socialdemokrate me 621 vota
Në Cërrik ka përfunduar procesi i numërimit, ku Partia Socialiste ka arritur të fitojë bindshëm. PS ka grumbulluar 7.021 vota, ku diferenca është e madhe kundrejt kundërshtarëve. Pas saj vjen PD me 3433 vota, me më shumë se 3.500 vota diferencë. Forcë e tretë në bashkinë e Cërrikut është konfirmuar Nisma Shqipëria Bëhet me 724.
Partia Demokratike ka arritur të fitojë në njësinë administrative Fushë-Krujë. Në këtë njësi të Bashkisë së Krujës, demokratët numëruan 5097 vota në 30 QV. Nga ana tjetër, Partia Socialiste arriti vetëm 4642 vota.
Edhe në bashkinë Këlcyrë procesi i numërimit të fletave të votimit ka përfunduar. Edhe këtu forca politike që kryeson është Partia Socialiste me një rezultat prej 1702 votash. Koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore forcë e dytë me 965 vota. Ndërsa forcë e tretë në është Nisma Shqipëria Bëhet me 101 vota.
KQZ ka shpallur rezultatin në Bashkinë Rrogozhinë. Partia Socialiste është forcë e parë politike me një rezultat prej 4864 votash. Ndërsa koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë një rezultat prej 3481 vota. Ndërkohë forcë e tretë është Partia Socialdemokrate me 397 vota.
Hasi ka mbyllur procesin e numërimit të votave, teksa fituese është Partia Demokratike. PD-ja ka marrë 3547 vota, PS-ja 2231 dhe PSD 841 vota. Partitë e tjera në garë kanë marrë një numër të ulët votash.
Sakaq, Partia Socialiste siguroi fitoren në Vorë. Socialistët siguruan 8082 vota, duke u pasuar nga PD me 4803 vota.
Pas PD renditet PSD me 330 vota, ndërsa forcë e katërt Partia Mundësia 313. Procesi i votimit në Vorë një ditë më parë u shoqërua edhe me tensione, ku sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe deputetja Albana Vokshi debatuan ashpër me disa qytetarë. Pas kallëzimit nga njëri prej tyre, nisën hetimet ndaj demokratit.
Mbyllet numërimi edhe në Shijak, duke shpallur triumfues kampin rozë. Partia Socialiste ka marrë rreth 2 mijë vota më shumë se Partia Demokratike. Menjëherë pas numërimit të votës së fundit, socialistët kanë shpërthyer në festë. PS ka marrë 7118 vota, ndërsa PD ka marrë 5266 vota.
Ndërkohë, kur ka kaluar 24 orë nga mbyllja e orarit zyrtar të votimeve, janë numëruar tashmë 60% e votave të hedhura nga shqiptarët.
Partia Socialiste kryeson bindshëm me 437.956 vota të marra, që sipas projeksionit të KQZ, deri në fund do të përkthehen në 83 mandate, shifër që nuk ka ndryshuar që prej nisjes së numërimit.
Partia Demokratike ka siguruar deri tani 282.585 vota, që sipas projeksionit të KQZ deri në fund të numërimit do të përkthehen në 51 mandate.
Partia Social Demokrate e Tom Doshit, ka siguruar deri tani 30.772 vota dhe është në rrugë të sigurt drejt 3 mandateve në të gjithë vendin.
Nga një mandat duket se do të sigurojnë edhe Nisma Shqipëria Bëhet me drejtues Adriatik Lapajn, Mundësia e Agron Shehajt, dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.