Politike

Berisha: Mos iu besoni exit-poll-eve! Vepër e një gënjeshtari që i shërben Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Pas përfundimit zyrtar të procesit të votimit Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar bandat për ndikim të rezultatit të zgjedhjeve.

Në një deklaratë për mediat kryedemokrati theksoi se ka rritje të ndjeshme të elektoratit.

“Të dhëna operative nga mbarë vendi dëshmojnë se në zonat tradicionale të qendrës së djathtë ka një rritje të ndjeshme të elektoratit dhe priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Por unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duart e komisionerëve, në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës, bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zonat e tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve”.

Kreu i PD-së u bëri apel komisionerëve të PD-së që të zbatojnë vetëm ligjin. Sipas Berishës asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion.

“Tani, porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion. Garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato grupe terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë e kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë. Populli ka folur në mënyrë vendimtare”.

Berisha tha se bandat që sipas tij kanë kanë bërë presion mbi votuesit do të shpallen terroriste dhe do marrin ndëshkimet maksimale.

Mandej ai ka denoncuar exit poll-in e dalë në disa media që nxjerrin në avantazh të thellë mazhorancën. Berisha tha se këto exit-poll-e janë bërë nga njerëz që sipas tij i shërbejnë Edi Ramës.

“I kërkoj Ramës që është një situatë të vështirë psikologjike që të mos iu kërkojë kriminelëve të intimidojnë dhe të tentojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve. Një exit poll autor i të cilit është gënjeshtari që është një njeri i afërt i Ramës që i shërben atij në çdo rast si dëshmitar i rremë. Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të aleancës sonë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë