Politike

Një mandat i katërt për socialistët apo një rikthim i demokratëve – Mediat ndërkombëtare raportojnë zgjedhjet në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Një mandat i katërt për socialistët apo një rikthim i demokratëve, është pyetja së cilës do i përgjigjen sot shqiptarët, në zgjedhjet parlamentare për qeverinë e ardhshme, shkruan Reuters.

Agjencia angleze shkruan se “shqiptarët po votojnë për qeverinë e ardhshme, me kryeministrin Edi Rama që kërkon një term të katërt, ngjarje e paprecedentë, pas një fushatë të dominuar nga premtimet mbi integrimin në Bashkimin Europian dhe shumë akuza për korrupsion”.

Reuters shkruan se Rama është favorit kundër kundërshtarit të tij jetëgjatë, Sali Berisha, por vëren se ka një pëlqim në rritje edhe për partitë e reja.

Bloomberg raporton një fitore të mundshme të Ramës, por mbetet për t’u parë “nëse skandalet e fundit të korrupsionit që përfshinë disa nga aleatët e tij më të afërt, duke përfshirë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë gërryer popullaritetin e Ramës dhe nëse ai do të jetë ende në gjendje të mbështesë popullaritetin e tij dhe të vazhdojë të qeverisë i vetëm”.

Agjencia e Lajmeve Italiane, ANSA shkruan se Berisha po shpreson të funksionojë “magjia” e Chris LaCivita, bashkëpunëtorit të Donald Trump.

Në artikullin e Associated Press theksohet narrativa pro-europiane e Ramës, që premton integrimin në BE dhe ajo pro-amerikane e Berishës që synon ringjalljen e ekonomisë së vendit, modeli MAGA.

AlJazeera i jep zë zgjedhjeve që po zhvillohen sot në Shqipëri duke nënvizuar se të rinjtë shqiptarë janë të lodhur nga dyshja historike e politikës vendase Rama-Berisha dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur të emigrojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë