Politike

Celibashi: Votimi po shkon normalisht! 8% e qendrave të votimit u hapën me vonesë

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për media, ka deklaruar se deri më tani procesi i votimit në të gjithë vendin po shkon normalisht.

Ndërsa renditi disa nga problematikat e hasura gjatë fillimit të procesit, Celibashi tha se ka raportime ku pretendohet për presione dhe intimidim të zgjedhësve.

“Nuk kemi për momentin asnjë qendër votimi të pahapur apo të bllokuar. Janë 8 përqind të qendrave të votimit të hapura me vonesë, deri rreth orës 08:00. Në 5 për qind të qendrave të votimit ka rezultuar se nuk kanë qenë të pranishëm 7 anëtarët. Në 5 për qind të qendrave të votimit kemi raportime se ka pasur tensione, ka ndërhyrë KQZ dhe më pas situata është stabilizuar.

Në 5 përqind të qendrave të votimit kemi mosrespektim të distancës prej 150 metrash nga individë që kanë votuar dhe qëndrojnë në këtë zonë”, tha Celibashi.

Sa i përket pjesëmarrjes, ai tha se deri në orën 11:00 ishte rreth 13.54 %. 

Gjithashtu Celibashi njoftoi se janë 4 qendra votimi në të cilat identifikimi po bëhet manualisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë