Politike

PS i kërkon KQZ zgjatjen e orarit të votimit në Vlorë për shkak të Giro d’Italia-s

Gazeta Si – Për shkak të garës çiklistike Giro D’Italia që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Partia Socialiste në Vlorë ka kërkuar shtyrjen e afatit të votimit deri në ora 22:00 ditën e diel.

Kërkesa është dërguar në KQZ nga drejtuesi politik i PS, Bledi Çuçi, ndërkohë që pritet që të merret një vendim në orët në vijim.

Gara çiklistike do të zhvillohet të dielën në qarkun e Vlorës, ku është parashikuar bllokimi i disa akseve rrugore dhe mund të shkaktojë probleme në qarkullimin e njerëzve për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Si pasojë bllokimi i akseve kryesore për më shumë se katër orë, do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit.

“Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese. Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00.

Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur”, thekson PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë