Gazeta Si – Aeroporti Heathrow i Londrës është mbyllur për shkak të një ndërprerjeje të shkaktuar nga zjarri në një central elektrik.
Këtë e bëri të ditur kompania administruese, duke shpjeguar se “për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë”, aeroporti “do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të datës 21 Mars”, në orën 0:59 të datës 22:59 në Shqipëri.
“Pasagjerët këshillohen të mos shkojnë në aeroport dhe të kontaktojnë kompaninë e tyre ajrore për informacione të mëtejshme”, paralajmëroi kompania që menaxhon aeroportin, duke kërkuar falje për shqetësimin.
Sipas shërbimit të gjurmimit “FlightRadar24”, të paktën 1351 fluturime janë anuluar. “British Airways” tha se ndikimi i zjarrit ishte “i rëndësishëm”.
“Ne po punojmë sa më shpejt që të jetë e mundur për të përditësuar klientët tanë mbi opsionet e tyre të udhëtimit për 24 orët e ardhshme dhe më tej”, – shtoi transportuesi i kompanisë në një deklaratë.
Zjarri ka rënë në zonën Hayes, në perëndim të Londrës, ku mbi 16 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe 150 persona janë evakuuar.
Autoritetet kanë ngritur një kordon prej 200 metrash si masë paraprake dhe banorët janë këshilluar të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura për shkak të një “sasie të konsiderueshme tymi”. Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.
“Zjarrfikësit janë ende duke punuar dhe nuk dihet se kur do të rikthehet energjia”, tha një zëdhënës i Heathrow, duke shtuar se stafi “po punonte sa më shumë që të ishte e mundur për të zgjidhur situatën”.
10 makina zjarrfikëse dhe rreth 70 zjarrfikës janë në veprim. Heathrow është aeroporti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, me rreth 1.300 fluturime ulje dhe ngritje në ditë. Vitin e kaluar, terminalet e saj panë një rekord prej 83.9 milionë pasagjerësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




