Gazeta Si – Donald Trump thotë se ka pasur një bisedë “shumë të mirë dhe produktive” dje me presidentin rus Vladimir Putin.
Nuk është plotësisht e qartë nëse Trump e telefonoi drejtpërdrejt Putinin ose nëse ai e përcolli mesazhin përmes të dërguarit të tij special Steve Witkoff, i cili ishte dje në Moskë.
“Ekziston një mundësi shumë e madhe që kjo luftë e tmerrshme, e përgjakshme të përfundojë më në fund”, tha Trump.
Ai theksoi se mijëra trupa ukrainase ishin “të rrethuar plotësisht nga ushtria ruse, në një pozicion shumë të keq dhe të cenueshëm”.
Trump tha se i kishte kërkuar Putinit “të kursente jetën e tyre. Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme, e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Zoti i bekoftë të gjithë!”, – ka shkruar Trump në rrjetin e tij “Truth social”.
Një ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin priti të dërguarin amerikan Steve Ëitkoff dhe përmes tij “i transmetoi informacione dhe sinjale të mëtejshme Presidentit Trump”, – njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.
Ndërkohë, ushtria ruse tha të premten se kishte rimarrë fshatin Honcharivka në rajonin Kursk të Rusisë, një lëvizje që duket se po vazhdon përparimin e Moskës në këtë zonë, e cila është pushtuar nga trupat ukrainase që nga vera e vitit 2024.
Ministri rus i Mbrojtjes, konfirmoi në një deklaratë se trupat ruse kishin “çliruar” Honcharivka, e cila ndodhet afër Sudzhas, një qytet në rajonin e Kurskut që rusët thuhet se e rimorën të enjten.
Sudzha ishte vendi më i rëndësishëm në Kursk që ukrainasit mund të kapnin në ofensivën e tyre të befasishme në territorin rus.
Ukraina ishte në gjendje të rifitonte më shumë se 1000 kilometra katrorë. Për muaj të tërë, Rusia – me mbështetjen e ushtarëve të Koresë së Veriut – zhvilloi beteja të ashpra për të rimarrë territorin.
Ukraina kohët e fundit tërhoqi trupat e saj nga disa fshatra. Kievi, nga ana tjetër, tha të premten se goditi një vend depozitimi raketash dhe dy stacione kompresor gazi në Rusi gjatë natës nga e enjtja në të premte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.