Nga Gazeta ‘Si’- Të shtunën më 15 mars, Beogradi do të jetë qendra e një tubimi masiv, të organizuar nga studentët.
Por ndërsa ata thonë se protesta do jetë paqësore, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç paralajmëron dhunë dhe arrestime. Madje, mediat serbe shkruajnë se mund të ketë një ‘përsëritje të Banjskës’.
Ngjarja pason protestat dhe bllokadat e vazhdueshme të tyre, që prej tragjedisë së 1 nëntorit në Novi Sad, kur një çati e një stacioni hekurudhor u shemb dhe humbën jetën 15 qytetarë.
Sipas mediave serbe, Vuçiç ka mbledhur edhe një njësi speciale, e përbërë nga të rinj nga veriu i Kosovës, disa prej të cilëve kanë qenë në sulmin terrorist të Banjskës, për të dalë kundër protestave dhe për të provokuar dhunë.
I vetëdijshëm se policia nuk dëshiron të ndërhyjë ndaj studentëve dhe popullit, Vuçiç po përhap frikë dhe përçarje në shoqëri, por edhe krijon kushte për incidente me pasoja potencialisht të paparashikueshme, shkruajnë mediat serbe.

“Ka nevojë për incidente që do të shërbenin si shkas në konfliktin e pretenduar mes dy palëve të shoqërisë, pra që policia e demoralizuar dhe e çorientuar të vendoset kundër popullit dhe të ndërhyjë në përmasa të gjera.
Për këtë qëllim, u ngrit një ‘roje e vdekur’, në formën e një kampi të rrethuar në parkun e pallatit presidencial, për t’u dhënë mundësinë autorëve të mundshëm të dhunës të vepronin dhe të kontrollonin më lehtë të gjithë procesin”, shkruan Radar.

Edhe serbë nga Kosova shkojnë ‘për të mbrojtur Vuçiçin’
Përpos pjesëmarrësve të Banjskës, shumë serbë të zonave të ndryshme të Kosovës si Shtërpca, Graçanica, Mitrovica e Veriut, Leposaviçi e Zubin Potoku, kanë shkuar në kampin para Presidencës serbe.

Sipas burimeve, disa prej tyre janë punonjës të institucioneve serbe, që besohet se u është premtuar rritje e pagave mujore.
Ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, por që janë të afërt me Listën Serbe – partinë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Sipas po të njëjtave burime, personat që kanë shkuar janë informuar ‘brenda natës’ se në çfarë ore dhe nga cili vend do të nisen për në Beograd, për t’i ofruar mbështetje presidentit serb, Vuçiç.
Deri tani disa janë nisur me autobusë të organizuar dhe disa me makinat e tyre private.
Që nga fundi i shkurtit, opozita serbe në Kosovë ka paralajmëruar opinionin se Lista Serbe po organizon serbë nga Kosova, për të krijuar një “mur njerëzor” para Presidencës së Serbisë, për të “mbrojtur” presidentin Vuçiç nga “revolucioni me ngjyra”.
Ndërkohë, Bashkimi Europian më herët i bëri thirrje Serbisë që të ulë tensionet në protestën e 15 marsit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.