Presidenti i Rusisë Vladimir Putin këtë të enjte u takua me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe në një konferencë të përbashkët me Lukashenkon, lideri rus u pyet mbi propozimin e Amerikës për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.
Fillimisht Putin falenderoi Trump për përkushtimin e tij në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ndërsa tha se është dakord për një armëpushim me Kievin, po me kushtin që ky armëpushim të pasojë me një paqe të qëndrueshme.
“Ne pajtohemi me propozimin për armëpushim për të ndaluar luftimet, por ne veprojmë nga fakti se ky armëpushim duhet të çojë në një paqe të qëndrueshme dhe duhet të heqë shkaqet thelbësore të kësaj krize,” tha ai.
“Ka shumë pikëpyetje lidhur me armëpushimin,” tha presidenti rus Vladimir Putin
“Armëpushimi është i drejtë, por shumë gjëra duhet të diskutohen,” përsëriti ai, duke ngritur disa çështje: “Kush do ta kontrollojë armëpushimin? Fronti është 2,000 kilometra i gjatë. Pse u duhen 30 ditë, për mobilizim apo për furnizimin me armë të Ukrainës?”
Putin gjithashtu kujtoi vizitën e tij në Kursk dje, ku tha se “situata është plotësisht nën kontrollin tonë, dhe grupi që pushtoi territorin tonë është izoluar plotësisht.”
Ai tha se trupat ukrainase nuk mund të dalin më nga zona, dhe ata do të duhet “të dorëzohen ose të vdesin.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.