Biznes

Nga taksa e sheshtë tek detyrimi për bakshishe, Shoqatat e biznesit vendas propozime për partitë politike

Nga Gazeta ‘SI’ – Shoqatat e biznesit në vend kanë propozuar një program ekonomik për partitë politike në vend, me perspektivën e forcimit të ekonomisë vendase.

Në njoftim, shoqatat shprehin shqetësimin për të ardhmen e tyre përballë konkurrencës botërore dhe një rritje tjetër çmimesh.

Nga mbështetja për prodhimin vendas tek lehtësirat fiskale, bizneset kërkojnë ndryshimin e një sërë politikash që do ta bënte më të shëndetshme klimën e sipërmarrjes në Shqipëri.

Bizneset propozojnë lehtësi fiskale për investimet në teknologji dhe inovacion. Ato sugjerojnë krijimin e një fondi kombëtar për bizneset Start Up, digjitalizimin e administratës publike për të lehtësuar shërbimet ndaj bizneseve dhe digjitalizimin e ekonomisë në tërësi.

Për bizneset është thelbësore lufta ndaj korrupsionit si garanci për një klimë të shëndetshme biznese. Ato kërkojnë transparencë në proceset e tenderimit dhe koncesioneve.

Në aspektin fiskal, ndërmarrjet vendase i kërkojnë politikës një sistem të ri fiskal me taksë të sheshtë 10% për të nxitur investimet dhe rritjen e pagës. Sipas tyre, ky regjim do të nxisë punësimin dhe formalizimin e ekonomisë. Norma e TVSH-së për sektorin e agro-përpunimit të bëhet 5%-7%, të rivendoset kompensimi i fermerëve për TVSH-n.

Prodhuesit kërkojnë lehtësira tatimore dhe për lëndët që ato përdorin në prodhim si ato djegëse p.sh.

Për turizmin, ndërmarrjet propozojnë aplikimin e “TIPS”, bakshisheve në faturën e shërbimeve bar-restorant, për të lehtësuar subjektet.

Në sektorin e ndërtimit, kërkohet rishikimi i taksës mbi pasuritë e paluajtshme, çmimeve të referencës, taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe heqjen e taksës për “strehimin social”.

Programi mban emrin e Dhomës së Tregtisë Tiranë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Dhoma Ekonomike e Gruas etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë