Trend

‘Vetëm shtoi më shumë vëmendjen’ / Nepali ndaloi TikTok-un për 9 muaj dhe asgjë nuk ndryshoi

Nga Gazeta Si- Shqipëria nuk është vendi i parë që kërkon të mbyllë TikTok gjithsesi është ndër vendet e para që ndalon përdorimin e aplikacionit në masë dhe për arsye sociale, jo sigurie shtetërore. Ndërsa shtete si Kosova, Australia, Estonia, Kanadaja, Britania apo dhe vetë institucionet e BE kanë vendosur ndalimin e TikTok në institucione, për çështje sigurie kombëtare, vende si Nepali, Pakistani, India apo dhe Afganistani kanë marrë masa për ta mbyllur për këdo, nën arsyen se shpërndan vulgaritet dhe gjuhë urrejtje, i njëjti arsyetim që ka përdorur edhe Shqipëria.

Nepali mbylli në 2023 TikTok-un me pretekstin se prish harmoninë sociale, duke e rihapur në 2024, pas bisedimeve me TikTok dhe filtrave që u premtuan se do të vendoseshin.

Por, sipas ekspertëve atje, ndalimet dhe kufizimet nuk funksionojnë kurrë dhe ndalimi i TikTok u pa si një përpjekje nga qeveria për të cenuar lirinë e shprehjes.

“Ishte sikur prindërit t’u hiqnin privilegjet e internetit fëmijëve të tyre, gjë që në fakt përfundon duke shtuar vëmendjen tek kjo gjë”, thanë ekspertët në 2023.

Edhe pse TikTok-u u mbyll për 9 muaj, rreth gjysma e përdoruesve nepalezë të TikTok vazhduan të postonin përmes VPN-ve dhe në një farë mënyre, mbyllja nuk ishte zgjidhje, sipas ekspertëve. Madje, disa prej tyre thanë se arsyeja e vërtetë e mbylljes ishte ‘frika’ nga partitë e reja të sapokrijuara të cilat po mblidhnin ndjekës në TikTok.

A është ndalimi i TikTok një mënyrë efektive për të frenuar dezinformimin dhe dhunën online?

Santosh Sigdel, avokat i të drejtave digjitale në Nepal thotë se qeveria në atë kohë pretendonte se TikTok kishte një rol në krijimin e disharmonisë sociale megjithatë, nuk kishte asnjë të dhënë nga qeveria për të mbështetur këtë argument.

“Në atë kohë, të dhënat që ishin në dispozicion treguan se nuk ishte vetëm TikTok, por edhe kompanitë e tjera të mediave sociale që ishin po aq përgjegjëse për promovimin dhe kontributin në disharmoninë sociale. Nuk e shoh të përshtatshme apo të justifikueshme ndalimin e plotë të një platforme”, thotë ai, duke shtuar se në rastin e Nepalit, ai ndalim nuk bazohej në asnjë dispozitë ligjore. Ishte thjesht vendim i kabinetit pa përmendur asnjë dispozitë ligjore apo me ndonjë bazë ligjore.

Ai thotë se para se të merren masa drastike, qeveria dhe kompanitë duhet të punojnë me organizatat e shoqërisë civile, gjyqësorin, zyrtarët e zbatimit të ligjit, kompanitë e mediave sociale, prindërit, mësuesit dhe të tjerët për të luftuar anët negative të TikTok.

Edhe pse u bënë protesta, ankesa dhe madje çështja shkoi dhe në dyert e gjykatave, TikTok u mbyll dhe 9 muaj më pas, pasi u rikthye, kompania filloi punën për të kompensuar terrenin e humbur në Nepal.

Për javë me radhë, kompania mbajti masterclass-e dhe takime me grupe të ndryshme që synonte të ndihmonte bizneset e vogla dhe të mesme për të rritur biznesin e tyre.

Ndërsa TikTok përdorej kryesisht nga nepalezët për të sinkronizuar buzët ose për të kërcyer me fragmente këngësh, pas hapjes filloi të përdorej më shumë.

Në konferenca pati gjithashtu edhe sesione në mënyrën se si TikTok trajton çështjet e sigurisë, moderon përmbajtjet që mund të jenë të papërshtatshme dhe se si merret me aktivitetet e rrezikshme.

Drejtuesit e TikTok pranuan se është një platformë relativisht e re dhe ata ende po mësojnë ndërsa vazhdojnë por gjithashtu u përpoqën të shmangnin disa nga pyetjet më të vështira në lidhje me balancimin e rrezkshmërisë dhe fjalës së lirë dhe rreth raportimit të videove si problematike.

Përfaqësuesi i TikTok tha se po zbatohen ‘udhëzimet e komunitetit’ pa hyrë në detaje se si funksionon kjo.

“Për nëntë muajt që TikTok u ndalua në Nepal, ne nuk mund të kishim vërtet qartësi për këtë, përveç shpjegimit zyrtar se prishi harmoninë sociale,” tha Imad Jaffer nga TikTok gjatë një konference, duke shtuar se kompania ishte e hapur për dialog por se qeveria nuk ishte aspak e përgjegjshme.

“Në rastin e Pakistanit, që e mbylli dhe hapi 4 herë, ne kuptuam se ata kishin shqetësime për vulgaritetin në aplikacion,” thotë Jaffer, por ndalimi i Nepalit ishte më i çuditshmi.

“Ne nuk morëm asnjë shpjegim për të edhe pse ndjenja e publikut ndaj aplikacionit ishte pozitive”.

Si jeton India pa TikTok?

Në vitin 2020, India vendosi një ndalim për TikTok dhe dhjetëra aplikacione të tjera kineze.

Ndalimi erdhi menjëherë pasi një përleshje midis trupave indiane dhe kineze në një kufi të diskutueshëm të Himalajeve vrau 20 ushtarë indianë dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Kompanive iu dha një shans për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi kërkesat e privatësisë dhe sigurisë, por ndalimi u bë i përhershëm në janar 2021.

Ndalimi nuk ishte pa dhimbje. TikTokerave indianë iu desh të përballeshin me konfuzionin dhe madje edhe ankthin në ditët dhe muajt që pasuan.

Deri në vitin 2020, TikTok ishte bërë jashtëzakonisht i popullarizuar në mesin e indianëve që kërkonin lehtësim nga presionet e izolimit të lidhur me Covid-in.

“Të gjithë në Indi duan të jenë një yll Bollywood dhe TikTok e bëri të mundur këtë ëndërr duke i bërë njerëzit, përfshirë ata në qytete të vogla, yje brenda natës,” tha Saptarshi Ray, kreu i Viralo, një platformë marketingu.

Por nuk kaloi shumë kohë para se të lindën rrugë të tjera për krijimtarinë e tyre dhe sipërmarrjet tregtare.

Një luftë e egër pasoi midis gjigantëve të teknologjisë amerikane dhe startup-eve vendase për të mbushur boshllëkun. Brenda një jave nga ndalimi, Instagram në pronësi të Meta fitoi para duke lançuar kopjen e tij TikTok, Instagram Reels, në Indi. Google prezantoi ofertën e vet të videove të shkurtra, YouTube Shorts.

Alternativat vendase si ‘MX Taka Tak’ dhe ‘Moj’ gjithashtu filluan të shihnin një rritje të popullaritetit dhe një fluks në financim.

Megjithatë, ato startup-e lokale u shuan së shpejti, në pamundësi për të përballuar shtrirjen dhe fuqinë financiare të firmave amerikane, të cilat po lulëzonin.

Duke cituar gjetjet nga Oxford Economics, një zëdhënës i Google tha se ‘YouTube kontribuoi afërsisht 2 miliardë dollarë në ekonominë indiane në 2022’.

Sipas Ray, krijuesit indianë të përmbajtjes e zhvendosën me shpejtësi të gjithë përmbajtjen e vjetër që kishin bërë për TikTok në “Instagram Reels” dhe “YouTube Shorts”.

“Disa Influencers po ngarkonin deri në 7 video në ditë dhe po fitonin katër deri në pesë milionë abonentë në vit,” tha ai.

Por jo të gjithë ishin në gjendje të krijonin ndjekës të konsiderueshëm në këto platforma.

Shumë përdorues dhe krijues u futën në një gjendje ankthi që ende nuk kanë dalë pasi mënyra se si dikush po fitonte para dhe famë në TikTok është ende e pakrahasueshme me çdo platformë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë