Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti Donald Trump gjatë takimit të parë me kabinetin tha se SHBA po negocion me sukses me Rusinë dhe Ukrainën dhe sipas tij një marrëveshje armëpushimi duket se është afër.
“Ne do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë dhe Ukrainën për të ndaluar vrasjen e njerëzve”, tha Trump.
Por sa i përket garancive të sigurisë Trump nuk u shpreh aspak i gatshëm.
“Unë nuk do të bëj garanci sigurie më shumë seç duhet… Ne do ta bëjmë Europën ta bëjë këtë, sepse Europa është vend fqinj”, tha Trump.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA do të jetë partnere me Ukrainën vetëm për marrëveshjen e mineraleve të rralla dhe se për këta të fundit është një marrëveshje e shkëlqyer pasi amerikanët do të punojnë atje.
Komentet Presidenti Trump i bëri gjatë mbledhjes së parë me anëtarët e kabinetit të tij, si përgjigje ndaj një pyetjeje të gazetarëve, nëse marrëveshja mes Uashingtonit dhe Kievit mbi mineralet do të përmbajë garanci sigurie për Ukrainën.
Të martën zyrtarë të dy vendeve njoftuan se është rënë dakord mbi një projekt-marrëveshje që i mundëson Uashingtonit qasje tek mineralet e rralla në Ukrainë.
Ukraina tha sot se e kishte miratuar marrëveshjen kornizë, por shtoi se suksesi i saj do të varej nga bisedimet me Presidentin Donald Trump.
Më herët Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbeten ende të përcaktohen garancitë e sigurisë të cilat Kievi i konsideron si jetike.
Ai tha se gjatë vizitës së tij të premten në Uashington do të ketë një bisedë të gjerë e thelbësore me Presidentin Donald Trump.
Të mërkurën Presidenti Trump konfirmoi se Zelensky do të vijë në Uashington të premten, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ofronin garanci të gjera sigurie.
Në një kopje të projekt-marrëveshjes mbi mineralet, që është parë nga agjencia e lajmeve ‘Reuters’ më datën 25 shkurt thuhej se “qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet përpjekjet e Ukrainës për të marrë garancitë e sigurisë të nevojshme për të vendosur paqen e qëndrueshme”.
Marrëveshja për mineralet është pjesë e përpjekjeve të Presidentit amerikan Trump për t’i dhënë një fund sa më të shpejtë luftës mes Ukrainës dhe Rusinë.
Presidenti amerikan e propozoi marrëveshjen dhe si një mënyrë që Kievi të shlyejë miliarda dollarë ndihmë ushtarake që ka marrë nga Uashingtoni prej fillimit të luftës.
Trump ka thënë gjithashtu se nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, në Ukrainë do të nevojitej një prani trupash paqeruajtëse. Por Moska tha të martën se ishte kundër dislokimit të një force të NATO-s atje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



