Sport

Mundja shqiptare në provën e parë pas Olimpiadës pariziene

Sot nisi zyrtarisht “Ranking Series Muhamet Malo 2025” në sallën “Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë. 9 kampionë nga “Zagreb Open”, kampionë dhe medalistë olimpikë si dhe kampionë të Botës do të ndeshen për pikët e nevojshme në kampionatet kontinentalë si ai evropian që zhvillohet nga 7 deri në 13 Prill në Bratislavë, Sllovaki. Disa nga përballjet që mund të vendosin këtë event janë ato mes medalistit olimpik shqiptar, Islam Dudaev dhe rivalit Iranian Rahman Amouzad. Amerikania Winchester është gati të bëjë gjithçka për medaljen e artë në 55kg përballë japonezes Haruna Okuno, Sasha Khomenets dhe moldaves Mariana Dragutan. Kampioni i Botës David Losi udhëheq një trio hungareze në peshën 87 kg me István Takács dhe Levai Tamas.

Islam Dudaev në ndeshjen ndaj Klevis Precit

Medalisti olimpik në peshën 97 kg, Givi Macharashvili pritet me interes në peshën 125 kg përballë Amir Hossein Zare. Trio e mundjes sonë, Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev do të garojnë në stilin e lirë dhe kthehen në aktivitet për të parën herë pas Olimpiadës së Parisit ku Dudaev dhe Valiev fituan medaljet e bronzit. Abakarov do të përballet me ish kampionin e Evropës, Nachyn Mongush dhe Artem Gobaev në peshën 61kg. Dudaev do të ketë sfidë më të vështirë në peshën 65 ndaj medalistit të argjendtë në Paris, Rahman Amouzad. Kampioni Botës deri në 23 vjeç, Ibragim Ibragimov pritet të jetë pretendenti kryesor përballë tyre. Ndërsa për Valiev, Yones Emami dhe Tajmuraz Salkazanov janë rivalët në 74 kg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë