Bota

Britania rrit shpenzimet ushtarake, 13 mld paund në vit do hiqen nga ndihma e huaj

Gazeta Si – Kryeministri britanik, Keir Starmer njoftoi të martën se Mbretëria e Bashkuar do të rrisë shpenzimet ushtarake në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2027 dhe më pas deri në 3 për qind gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar, i cili duhet të përfundojë në vitin 2034.

Është një vendim domethënës, pjesë e përpjekjes së Evropës për t’u përgatitur për një reduktim të mundshëm të mbështetjes ushtarake të SHBA-ve, për të cilën foli së fundmi presidenti amerikan, Donald Trump dhe shefi i Pentagonit, Pet Hegseth.

Mbretëria e Bashkuar aktualisht shpenzon 2.3 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen: arritja e 2.5 për qind do të nënkuptonte shpenzime shtesë prej 13.4 miliardë paundësh në vit (rreth 16 miliardë euro) midis 2025 dhe 2027.

Starmer tha se fondet do të gjenden duke reduktuar shpenzimet për programet e zhvillimit jashtë vendit: “Në kohë si këto, britanikët duhet të marrin gjithmonë masa pwr sigurinë”.

Bazuar në një marrëveshje të arritur në vitin 2014, të 31 vendet anëtare të NATO-s (përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), duhet të shpenzojnë të paktën 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen: ky është një parametër i respektuar nga shumica e shteteve, me disa përjashtime duke përfshirë Italinë, Spanjën dhe Kanadanë.

Javët e fundit, disa vende evropiane kanë diskutuar mundësinë e riarmatimit apo në çdo rast tw rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, edhe për shkak të disa deklaratave të Trump, sipas të cilave Europa nuk do të shpenzonte mjaftueshëm dhe do të varej shumë nga Shtetet e Bashkuara.

Disa deklarata të fundit nga Trump dhe Hegseth kanë lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara duan të reduktojnë ndjeshëm mbështetjen e saj ushtarake për shtetet evropiane.

Do të ishte një problem i madh, veçanërisht sepse në dekadat e fundit këto vende e kanë konsideruar se një luftë në shkallë të gjerë tani nuk ka gjasa dhe kanë preferuar t’i investojnë burimet e tyre diku tjetër duke u mbështetur në faktin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin ato.

Starmer do të takohet me Trump më 27 shkurt në Shtëpinë e Bardhë. Nuk është e sigurt që angazhimi për të rritur shpenzimet deri në 2.5 për qind të PBB-së do të konsiderohet i mjaftueshëm nga administrata amerikane.

Javët e fundit Trump ka sugjeruar që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë të paktën 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen (Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 3.5 për qind).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë